Kurti: Kosova po bëhet gjithnjë e më tërheqëse për investime
Kompania ajrore Wizz Air ka hapur zyrtarisht bazën e saj operative në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, në një ceremoni që shënon një zhvillim të rëndësishëm për sektorin e aviacionit civil në Kosovë.
Hapja e bazës pritet të rrisë lidhjet ajrore të Kosovës me destinacione të ndryshme, të zgjerojë mundësitë e udhëtimit për qytetarët dhe të kontribuojë në zhvillimin ekonomik të vendit.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, deklaroi se vendimi i Wizz Air për të hapur bazën e saj operative në Kosovë është dëshmi se vendi po shihet gjithnjë e më shumë si një destinacion i besueshëm dhe me potencial të madh për investime.
Sipas tij, ky zhvillim tregon se Kosova po bëhet gjithnjë e më tërheqëse për aviacionin civil, duke krijuar mundësi për zgjerimin e lidhjeve ajrore, rritjen e konkurrencës dhe përfitime më të mëdha për qytetarët dhe ekonominë e vendit.
Kurti, hapjen e kësaj kompanie ajrore e lidhi edhe me 16-vjetorin e opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila kishte konfirmuar se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.
“Vendimi i Wizz Air për të vendosur bazën e saj në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës është dëshmi se Kosova po shihet gjithnjë e më shumë si vend i besueshëm për investime, me perspektivë të qartë zhvillimi, si dhe me potencial të madh për t’u integruar edhe më shumë në rrjetet evropiane të transportit, të tregtisë dhe të lëvizjes së lirë të njerëzve”, ka thënë Kurti.
