Mbi 500 aplikime për mësimin e notit në Prishtinë
Programi i mësimit të notit për nxënësit e shkollave publike të Prishtinës ka ngjallur interes të madh nga prindërit dhe nxënësit. Vetëm brenda 24 orëve të para nga hapja e aplikimeve, janë regjistruar mbi 500 kërkesa për pjesëmarrje në këtë program.
Nga Drejtoria e Arsimit në Prishtinë kanë bërë të ditur se programi është planifikuar për 700 nxënës të shkollave publike, ndërsa numri i lartë i aplikimeve në ditët e para, sipas tyre, dëshmon nevojën dhe rëndësinë e iniciativave që u krijojnë fëmijëve mundësi të reja për zhvillim dhe përvetësim të aftësive të reja.
“Ky interes tregon qartë nevojën dhe rëndësinë e programeve që u ofrojnë fëmijëve mundësi të reja për të mësuar dhe për t’u zhvilluar”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Arsimit.
Drejtoria ka falënderuar prindërit për besimin dhe interesimin e treguar, duke theksuar se do të vazhdojë investimet në programe që synojnë krijimin e më shumë mundësive për nxënësit e shkollave publike të Prishtinës.
Programi i mësimit të notit është një nga iniciativat që synon të kontribuojë në zhvillimin fizik dhe edukativ të nxënësve, duke u ofruar atyre mundësi për të fituar një shkathtësi të rëndësishme përmes aktiviteteve sportive.
