Pas vendimit të KPK-së, prokurorët serbë lirohen nga detyra
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka dekretuar të martën dorëheqjet e shtatë prokurorëve nga komuniteti serb, që ishin dorëhequr më 2022.
Në një shkrim në rrjetin social, Haxhiu ka thënë se i ka nënshkruar dekretet për lirimin e tyre nga detyra pas vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës.
Me këtë akt, sipas saj, përmbyllet një proces i zgjatur për vite me radhë dhe zbatohet vendimi i institucionit kompetent, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës.
“Shteti ynë funksionon mbi parimet e rendit kushtetues dhe sundimit të ligjit. Askush nuk mund të mbajë peng funksionimin e institucioneve dhe as të krijojë paqartësi juridike përmes proceseve të papërfunduara. Republika e Kosovës do të vazhdojë të veprojë me vendosmëri, në përputhje me ligjin dhe në mbrojtje të integritetit të institucioneve të saj.”, ka shkruar Haxhiu.
