Sulmohet Metropolia e Kosovës/ Kryepeshkopi Nikoll Xhufka: Kërkojmë hetim të plotë

Metropolia e Kosovës është sulmuar gjatë orëve të hershme të mëngjesit nga persona të panjohur. Sipas Kryepeshkopit të Kishës Ortodokse Autoqefale të Kosovës, Nikoll Xhufka, incidenti ka ndodhur rreth orës 03:00.

Xhufka ka deklaruar se persona të panjohur kanë hedhur tulla dhe sende të tjera në drejtim të Metropolisë, duke tentuar të dëmtojnë xhamat e objektit.

Pas incidentit, në vendin e ngjarjes kanë dalë pjesëtarë të Policisë së Kosovës, të cilët kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rastit dhe identifikimin e autorëve.

Sulmi ka ngjallur shqetësim, veçanërisht për faktin se objektet fetare duhet të jenë vende të paqes, lutjes dhe bashkëjetesës, e jo objektiva të dhunës apo intolerancës.

Incidenti ngre edhe një pyetje të rëndësishme: Kujt po i pengon Kisha Ortodokse Autoqefale Shqiptare e Kosovës?

Në ditët e fundit, kjo Kishë është përballur me kritika dhe kundërshtime publike nga media dhe qarqe të ndryshme, përfshirë edhe burime nga Serbia. Për këtë arsye, autoritetet kompetente duhet të hetojnë me seriozitet nëse sulmi i fundit ka ndonjë motiv të veçantë dhe nëse ekziston ndonjë lidhje me tensionet apo kundërshtimet e shfaqura kohët e fundit.

Megjithatë, deri në përfundimin e hetimeve, nuk mund të përcaktohet se kush qëndron pas këtij sulmi. Përgjegjësit duhet të identifikohen dhe të përballen me drejtësinë, pavarësisht përkatësisë së tyre.

Sulmi ndaj një kishe, xhamie apo çdo objekti tjetër fetar është i papranueshëm dhe cenon vlerat e tolerancës, lirisë së besimit dhe bashkëjetesës në shoqëri.

Mesazhi i Kryepeshkopit Nikoll Xhufka për Kosova Info

“E dënojmë fuqishëm këtë akt të papranueshëm. Kisha është vend i lutjes, paqes dhe dashurisë dhe nuk duhet të jetë objekt i urrejtjes apo dhunës. I bëjmë thirrje Policisë së Kosovës që ta hetojë këtë rast deri në fund dhe të identifikojë personat përgjegjës.

Kisha Ortodokse Autoqefale Shqiptare e Kosovës nuk është kundër askujt. Ne respektojmë çdo besim dhe çdo komunitet fetar. Ajo që kërkojmë është e drejta për të ushtruar lirisht besimin tonë dhe për të jetuar në paqe.

I bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që të mos bien pre e provokimeve dhe gjuhës së urrejtjes. Në Kosovë duhet të ketë vend për çdo besim dhe çdo komunitet. Dhuna ndaj objekteve fetare nuk i shërben askujt dhe nuk duhet të tolerohet.

Ne do të vazhdojmë të bëjmë thirrje për paqe, drejtësi dhe tolerancë fetare.”/kosova.info

Go to TOP