Mashtrim me prona në Fushë Kosovë, ndalohen tre persona – dyshohet se përvetësuan 1.55 milionë euro me dokumente të falsifikuara
Prokuroria Themelore në Prishtinë, në koordinim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), ka ndaluar tre persona të dyshuar për veprat penale të mashtrimit, falsifikimit të dokumentit dhe legalizimit të përmbajtjes së rreme.
Sipas Prokurorisë, të dyshuarit me inicialet M.T., L.Sh. dhe M.R., dyshohet se kanë përdorur dokumente të falsifikuara të Republikës së Serbisë, përfshirë pasaportë, letërnjoftim dhe certifikata të gjendjes civile, për të krijuar identitet të rremë dhe për t’u paraqitur si pronarë legjitimë të një prone të paluajtshme në fshatin Sllatinë të Komunës së Fushë Kosovës.
Hetimet paraprake tregojnë se, përmes këtyre dokumenteve të falsifikuara dhe identitetit të rremë, ata kanë shitur një parcelë prej dy hektarësh duke i shkaktuar të dëmtuarit një dëm material prej 1.55 milionë eurosh.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, tre të dyshuarit janë ndaluar, ndërsa brenda afatit ligjor do t’i paraqitet Gjykatës kompetente kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tyre.
Prokuroria Themelore në Prishtinë theksoi se mbetet e përkushtuar në luftimin e kriminalitetit dhe korrupsionit, si dhe në ndërmarrjen e të gjitha veprimeve ligjore për zbardhjen e plotë të rasteve penale dhe mbrojtjen e rendit juridik e interesit publik. /Kosova.info/
