Kane, Mbappe dhe Bellingham në garë për ‘Këpucën e Artë’

Anglia dhe Franca do të përballen më 18 korrik në Miami në ndeshjen për vendin e tretë të Kupës së Botës 2026, një sfidë që, përveç medaljes së bronztë, mund të vendosë edhe fituesin e “Këpucës së Artë”.

Edhe pse të dyja kombëtaret u eliminuan në gjysmëfinale, disa prej yjeve të tyre vazhdojnë të jenë në garë për çmimin e golashënuesit më të mirë të turneut.

Në krye të renditjes qëndrojnë Lionel Messi dhe Kylian Mbappe me nga tetë gola secili. Megjithatë, kapiteni i Argjentinës ka avantazhin në klasifikim falë katër asistimeve, një më shumë se sulmuesi francez.

Pas tyre vijnë dy futbollistët e Anglisë, Harry Kane dhe Jude Bellingham, të cilët kanë realizuar nga gjashtë gola dhe nga një asistim. Një paraqitje e mirë në sfidën për vendin e tretë mund t’i rikthejë ata fuqishëm në garë për trofeun individual.

Rregullorja e FIFA-s parashikon që golat e shënuar në ndeshjen për vendin e tretë llogariten në totalin e turneut, ndërsa në rast barazimi me gola, fituesi përcaktohet nga numri i asistimeve.

Historia tregon se kjo ndeshje ka pasur shpesh ndikim vendimtar në garën për “Këpucën e Artë”. Deri më tani, shtatë fitues të këtij çmimi kanë shënuar në sfidën për vendin e tretë, ndërsa katër prej tyre e siguruan trofeun pikërisht falë golave të realizuar në atë takim.

Trajneri i Anglisë, Thomas Tuchel, ka bërë të ditur se pritet të aktivizojë disa lojtarë të rinj pas humbjes ndaj Argjentinës, ndërsa edhe Didier Deschamps pritet të bëjë ndryshime në formacionin e Francës pas eliminimit nga Spanja.

Megjithatë, gara për “Këpucën e Artë” mbetet një motivim i madh për emra si Kane, Mbappe dhe Bellingham.


Go to TOP