Haliti: Formimi i institucioneve është interes shtetëror

Sekretari për Mërgatën në Lidhjen Demokratike të Kosovës, Sokol Haliti, ka thënë se formimi i institucioneve është interes shtetëror dhe se Kosova ka nevojë për stabilitet institucional.

“Institucionet shtetërore, përfshirë edhe zgjedhjen e presidentit, janë të pashmangshme. Vendi duhet të ketë institucione funksionale dhe stabile. Mosimplementimi i buxhetit rrezikon funksionimin jetik të shtetit. Besoj se partneriteti për krijimin e institucioneve do të arrihet, qoftë nga LDK-ja apo nga një subjekt tjetër. Kjo është çështje e negociatave”, tha Haliti.

Duke komentuar zhvillimet në parti, ku 148 delegatë kanë thirrur Kuvendin e jashtëzakonshëm me kërkesë për shkarkimin e Abdixhikut, Haliti tha se takimet që po zhvillohen janë pjesë e punës së rregullt organizative dhe se të gjitha proceset e brendshme po zhvillohen në përputhje me statutin dhe procedurat e LDK-së.

Haliti tha se LDK-ja vazhdon funksionimin normal, me secilin organ dhe zyrtar të angazhuar në përgjegjësitë e veta.

“Janë takime pune, rutinore, që i bëjmë si subjekt serioz. Partia funksionon, punon dhe organizohet. Secili i ka detyrat e veta, sekretarët, kryesia, organizatat dhe degët”, tha ai.

Lidhur me nismën për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm të LDK-së, Haliti u shpreh se çështja po trajtohet nga organet kompetente të partisë dhe se vendimet do të merren në përputhje me statutin.

“Ajo është shqyrtuar në organe. Është procedurë normale dhe do të merren vendimet në afat, në përputhje me statutin dhe rregullat e partisë”, deklaroi ai.

Haliti theksoi se kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, mbetet kryetar legjitim i partisë deri në mbajtjen e Kuvendit të ardhshëm.

“Kryetari është legjitim. Derisa të bëhet Kuvendi tjetër, është kryetar legal. Edhe aty, pra Kuvendi ka procedura gjithashtu. Ka procedura edhe rregulla. Kryetari i LDK-së është zgjedhur në Kuvendin e kaluar me votë të fshehtë, një Kuvend i tillë demokratik, ndoshta shembull edhe për partitë e tjera, jo vetëm në Kosovë. Prandaj, LDK-ja do të punojë statutarisht, do të punojë me demokraci në veprim, me rregulla gjithsesi, me vendime nëpër organe që kalojnë. Prandaj, takimet me degë, takimet me kryesi që po bëhen, janë konsultime”, tha Haliti.


Go to TOP