KE konfirmon pranimin e raportit të Kosovës për Planin e Rritjes
Komisioni Evropian ka konfirmuar se ka pranuar nga Kosova raportin mbi zbatimin e hapave reformues të nevojshëm për përfitimin e mjeteve nga Plani Evropian i Rritjes.
“Mund të konfirmojmë se të pesë partnerët i kanë dorëzuar me sukses kërkesat e tyre për pagesë, përfshirë edhe Kosovën, e cila raportoi për herë të parë”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Shtypit të Komisionit Evropian.
Kosova e dorëzoi këtë raport e fundit, të martën në mbrëmje, pak para skadimit të afatit, i cili përfundonte në mesnatën e 15 korrikut.
Kjo datë shënoi përfundimin e procedurës së raportimit për këstin e katërt të financimit në kuadër të Planit të Rritjes.
Kosova deri më tani nuk ka marrë asnjë pagesë të rregullt nga paketa evropiane, pasi vendi është vonuar në procesin e ratifikimit të Marrëveshjes për Instrumentin e Reformës dhe Marrëveshjes së Huasë.
Deri më tani, Kosova ka marrë vetëm mjetet e parafinancimit – 7 për qind të shumës totale të alokuar për vendin nga Plani i Rritjes.
Pas pranimit të raporteve nga vendet e rajonit, Komisioni Evropian tani fillon fazën e vlerësimit të zbatimit të hapave përkatës reformues dhe më pas do të marrë vendim për disbursimin e fondeve përkatëse për secalin shtet.
Në rastin e Kosovës, vendi ne ketë fazë duhej të përmbushte 13 hapa reformues, të vlerësuar në total me 90.8 milionë euro. Shuma që do të disbursohet do të varet nga numri i reformave të përmbushura dhe niveli i zbatimit të tyre, sipas objektivave të përcaktuara në Agjendën e Reformave.
