Kryeministri në detyrë Kurti priti në takim lamtumirës ambasadorin e Zvicrës, Sprecher

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim lamtumirës ambasadorin e Zvicrës, Jürg Sprecher.

Kryeministri Kurti e falënderoi ambasadorin Sprecher për bashkëpunimin e afërt dhe kontributin e çmuar në kultivimin e marrëdhënieve të shkëlqyeshme dhe forcimin e partneritetit ndërmjet dy shteteve.

Duke shprehur mirënjohje për mbështetjen e madhe dhe të vazhdueshme të Zvicrës, kryeministri Kurti përmendi programin e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC). Krahas 86 milionë frangave zvicerane të ndara për periudhën 2022–2025, për periudhën e re 2026–2029 janë zotuar edhe mbi 64 milionë franga zvicerane për Kosovën. Si fusha me rëndësi të veçantë u veçuan arsimi dhe aftësimi profesional, si dhe projektet në sektorin e ujit, të cilat kanë ndihmuar ndjeshëm në zgjerimin e mbulimit me furnizim me ujë dhe në rritjen e qëndrueshmërisë përballë ndryshimeve klimatike.

Kosova është një nga vendet e pakta prioritare në të cilat Zvicra i përdor të tri instrumentet kryesore: bashkëpunimin për zhvillim, bashkëpunimin ekonomik dhe sigurinë njerëzore, të plotësuara nga partneriteti për migracion.

Në takim u diskutua për përparimin demokratik të vendit, planet për të vazhduar këtë rritje, mërgatën dhe lidhjet e forta ndërmjet dy shteteve, ekonominë dhe shkëmbimet tregtare, si dhe për thellimin e bashkëpunimit, me fokus të veçantë në sektorin e teknologjisë së informacionit dhe të shërbimeve.

Kryeministri Kurti i uroi ambasadorit Sprecher suksese në angazhimet e reja dhe shtoi se ai do të jetë gjithmonë i mirëpritur në Kosovë.

Go to TOP