VETURA E ZHDUKUR E MAShTI-t: Ministri dhe Sekretarja heshtin përballë pyetjeve të Kosova Info
Nga redaksia e Kosova Info
Një Qeveri që trumbeton të ndërtojë institucione të përgjegjshme dhe transparente, pasuria publike nuk mund të humbasë në heshtjen e administratës. Kur bëhet fjalë për një automjet të dhuruar nga një donator ndërkombëtar për nevoja institucionale, çdo ditë pa sqarim e rëndon përgjegjësinë institucionale dhe dëmton besimin e qytetarëve.
Kosova Info ka ngritur publikisht një sërë pyetjesh lidhur me një veturë Toyota, e dhuruar nga projekti LuxDev për nevojat e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI). Sipas informacioneve të siguruara nga redaksia, automjeti nuk ndodhet në administrimin e ministrisë. Kjo rrethanë kërkon sqarim institucional.
Për këtë arsye, Kosova Info u ka dërguar pyetje zyrtare Ministrit të Arsimit dhe Sekretares së Përgjithshme të MAShTI-t. Pyetjet kanë qenë të drejtpërdrejta: ku ndodhet automjeti, kush e përdor, a është kthyer në inventarin e ministrisë, a janë përdorur derivate nga kontrata e MAShTI-t dhe a është zhvilluar ndonjë verifikim administrativ.
Deri në publikimin e këtij artikulli, as Ministri dhe as Sekretarja e Përgjithshme nuk kanë kthyer përgjigje.
Heshtja nuk është përgjigje
Ministri aktual nuk ka qenë në detyrë në kohën kur, sipas informacionit të disponueshëm, kanë ndodhur ngjarjet që lidhen me administrimin e këtij automjeti. Megjithatë, përgjegjësia e tij sot është të garantojë transparencë dhe të sigurojë administrimin korrekt të pasurisë publike.
Kur një media ngre pyetje për një aset institucional dhe institucioni zgjedh të mos përgjigjet, lind një pyetje e ligjshme: A është verifikuar fare se ku ndodhet automjeti dhe në çfarë statusi administrativ ndodhet ai?
Nëse përgjigjja është po, pse nuk bëhet publike?
Nëse përgjigjja është jo, atëherë kemi të bëjmë me një mangësi serioze në administrimin e pasurisë publike.
Përgjegjësia administrative nuk mund të anashkalohet
Në çdo ministri, administrimi i pasurisë publike nuk është përgjegjësi politike, por edhe administrative. Për këtë arsye, roli i Sekretares së Përgjithshme është kyç.
Sekretarja e Përgjithshme është autoriteti më i lartë administrativ i ministrisë. Brenda kompetencave të saj përfshihen administrimi i pasurisë, mbikëqyrja e procedurave administrative dhe funksionimi i mekanizmave të kontrollit të brendshëm.
Prandaj, nëse një automjet institucional nuk ndodhet në administrimin e ministrisë ose nëse ka paqartësi lidhur me statusin e tij, publiku ka të drejtë të dijë:
• A është zhvilluar ndonjë verifikim administrativ?
• A ekziston dokumentacion për dorëzimin ose përdorimin e automjetit?
• A janë marrë masa për të sqaruar këtë rast?
Edhe për këto pyetje nuk ka pasur përgjigje.
Çështja nuk është vetëm një veturë
Rasti nuk lidhet vetëm me fatin e një automjeti.
Ai lidhet me mënyrën se si administrohet pasuria publike, me transparencën ndaj qytetarëve dhe me respektimin e qëllimit për të cilin donatorët ndërkombëtarë mbështesin institucionet e Kosovës.
Kur një aset dhurohet për një institucion publik, ai duhet të jetë i identifikueshëm, i administruar sipas rregullave dhe i përdorur vetëm për interes publik. Çdo paqartësi rreth statusit të tij kërkon sqarim të menjëhershëm.
“Nëse automjeti vazhdon të përdoret nga ish-ministrja Arbërie Nagavci, siç sugjerojnë materialet që disponon Kosova Info, atëherë lind pyetja se si një aset institucional mund të jetë jashtë administrimit të ministrisë pa reagimin e Sekretares së Përgjithshme, e cila sipas kompetencave të saj është përgjegjëse për administrimin e pasurisë publike. Për këtë çështje, Kosova Info kërkoi përgjigje zyrtare si nga ministri aktual, ashtu edhe nga Sekretarja e Përgjithshme, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk mori asnjë përgjigje.”
Nuk është hera e parë që emri i MAShTI-t dhe drejtimit të mëparshëm të ministrisë përmendet në raportime mediatike për dyshime mbi administrimin e pasurisë publike, procedurat administrative dhe vendimmarrjen institucionale. Gjatë periudhës së drejtimit të ish-ministres Arbërie Nagavci dhe administrimit të Sekretares së Përgjithshme z. Fadile Dyla, media të ndryshme kanë publikuar vazhdimisht raportime dhe pretendime për parregullsi dhe keqmenaxhim në fusha të ndryshme të veprimtarisë së ministrisë, duke kërkuar transparencë dhe llogaridhënie nga institucionet përgjegjëse.
Edhe ish-këshilltari politik i ish-ministres, Valdrin Dervishaj, ka bërë publikisht deklarime dhe akuza lidhur me mënyrën e ushtrimit të detyrës gjatë mandatit të znj. Nagavci, duke kërkuar që pretendimet e ngritura të verifikohen nga institucionet kompetente.
Rasti i veturës Toyota të dhuruar nga projekti LuxDev nuk mund të shihet i shkëputur nga ky kontekst. Pikërisht për këtë arsye, transparenca e plotë dhe përgjigjet zyrtare të MAShTI-t janë të domosdoshme. Heshtja institucionale nuk i zbeh dyshimet e ngritura në opinion publik; përkundrazi, i forcon kërkesat për një verifikim të pavarur administrativ dhe, nëse është e nevojshme, edhe nga organet kompetente.
Pyetjet mbeten të hapura
Kosova Info nuk paragjykon përgjegjësi individuale dhe nuk zëvendëson punën e organeve kompetente. Por media ka detyrimin të kërkojë llogari kur institucionet nuk japin shpjegime për administrimin e pasurisë publike.
Prandaj, pyetjet mbeten të njëjtat:
• Ku ndodhet sot vetura Toyota e dhuruar nga LuxDev?
• Kush e ka përdorur dhe kush e përdor aktualisht?
• A është kthyer në administrimin e MAShTI-t?
• A janë kryer shpenzime publike për këtë automjet pas përfundimit të mandatit të ish-ministres?
• A ka nisur ndonjë verifikim administrativ?
• Pse Ministri dhe Sekretarja e Përgjithshme nuk u përgjigjën pyetjeve të një mediaje për një çështje me interes publik?
Derisa këtyre pyetjeve t’u jepet përgjigje me dokumente dhe jo me heshtje, kjo çështje mbetet e hapur. Transparenca nuk matet me deklarata politike; ajo matet me gatishmërinë për t’iu përgjigjur pyetjeve legjitime dhe për të dhënë llogari për administrimin e pasurisë publike.
