Tregu i Gjelbër në Prishtinë, tregtarët ankohen për mungesë kushtesh
Në kryeqytet, tregtarët në Tregun e Gjelbër vazhdojnë të ankohen për mungesën e investimeve dhe kushteve bazë për punë. Përderisa Drejtoria e Shërbimeve Publike njofton se ka filluar sanimi i infrastrukturës nëntokësore, opozita komunale akuzon për vonesa në realizimin e projektit të premtuar.
Asnjë investim nuk është bërë në Tregun e Gjelbër të Prishtinës. Situata është rënduar kohë më parë për shkak të mungesës së kushteve për punë, thonë tregtarët. Ditë më parë ata janë ankuar për mungesë të ujit, me të cilin mbajnë pastërtinë dhe freskojnë produktet e tyre.
“Po qysh po thotë Përparim Rama, me na shti neve krejt aty, na për tezga s’kemi çka hyjmë. Tezgat i kemi prej betoni, këto të hekurit s’bëjnë hiç. Na kemi dëshirë me na ndreqë najfarë lokali”, tha Fatmir Bejta, tregtar.
Nga opozita në kryeqytet adresojnë kritika për vonesa në realizimin e projektit për Tregun e Gjelbër.
“Kryetari Rama pati premtuar edhe në mandatin e parë, edhe në të dytin, ndërtimin e tregut të ri, por deri më tani nuk kemi asnjë hap konkret. Normal që ne e presim çdo investim të mirë, edhe për Tregun e Gjelbër që është stërvonuar. Ne kërkojmë nga kryetari Rama që të marrë hapa konkretë dhe konkretisht të fillojë sa më parë”, theksoi Besart Krasniqi, asamblist i VV-së në Prishtinë.
Në hapësirën ku aktualisht ndodhet tregu ekzistues do të ndërtohet tregu i ri i gjelbër. Projekti kap vlerën e 1.1 milionë eurove, ndërsa punimet pritet të përfundojnë brenda 90 ditëve të punës.
Në një përgjigje me shkrim nga drejtoresha e Transformimit, Nora Cimili-Gagica, thuhet se punimet kanë filluar pas pëlqimit të Drejtorisë për Shërbime Publike për largimin e mbeturinave, barojave të thata dhe pastrimin e rrjetit të kanalizimit.
Gjatë punimeve janë konstatuar dëmtime të konsiderueshme në infrastrukturën e kanalizimit dhe ujësjellësit, të cilat kishin shkaktuar rrjedhje të ujërave, bllokime dhe grumbullim të ujërave të zeza, duke paraqitur rrezik për shëndetin publik dhe mjedisin.
