Ekstradohet nga Hungaria në Kosovë i kërkuari me fletarrest ndërkombëtar
Policia e Kosovës ka njoftuar se më 7 korrik 2026 ka realizuar ekstradimin nga Hungaria në Kosovë të një shtetasi kosovar, i cili ishte i kërkuar me fletarrest ndërkombëtar.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, i dyshuari ishte arrestuar nga autoritetet hungareze pasi kërkohej përmes INTERPOL-it me fletarrest ndërkombëtar, të lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës.
Ai dyshohet se kërkohej për veprën penale “Armëmbajtje pa leje dhe fshehje e provave” dhe i ishte shmangur drejtësisë.
Ekstradimi është realizuar nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor e Policisë së Kosovës, në koordinim me njësitë tjera relevante dhe institucionet e drejtësisë.
Sipas Policisë, ky proces është mundësuar falë bashkëpunimit të ngushtë mes institucioneve të Republikës së Kosovës dhe atyre të Hungarisë, ndërsa pas ekstradimit i dyshuari u është dorëzuar njësive përkatëse policore për vazhdimin e procedurave të mëtejshme ligjore.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se do të vazhdojë bashkëpunimin dhe shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet dhe organizatat ndërkombëtare, me qëllim të parandalimit, hetimit dhe zbulimit të aktiviteteve kriminale, si dhe gjurmimit dhe arrestimit të personave të kërkuar brenda dhe jashtë vendit.
