Protesta e fermerëve, Haradinaj: Qeveria me qasje armiqësore po godet prodhuesit vendorë

Ish-kryetari i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas protestës së fermerëve të qumështit, të cilët sot u mblodhën para Ministrisë së Bujqësisë duke kërkuar zgjidhje urgjente për situatën me të cilën po përballen.

Fermerët kanë thënë se po rrezikohen të falimentojnë, pasi grumbullimi i qumështit është ndalur tash e katër ditë, situatë kjo që ka ardhur pas mbylljes së përkohshme të qumështores “Vita”.

Në këtë kontekst, Haradinaj ka akuzuar Qeverinë në detyrë për qasje, siç e ka quajtur ai, armiqësore ndaj prodhuesve vendorë, duke thënë se kjo po godet drejtpërdrejt fermerët dhe ekonominë e vendit.

“Pamjet e derdhjes së qumështit nga fermerët në lumenj dhe në rrugë janë të dhimbshme dhe shqetësuese. Si pasojë e vështirësive të krijuara në shitjen e prodhimit të tyre, fermerët po detyrohen të ndërmarrin edhe veprime të tilla ekstreme në shenjë proteste”, ka deklaruar Haradinaj.

Ai ka bërë thirrje që institucionet të ndërhyjnë urgjentisht, të dëgjojnë kërkesat e fermerëve dhe të kompensojnë dëmet e shkaktuara, duke theksuar se ata duhet të trajtohen si partnerë në zhvillimin ekonomik të vendit.

“Qeveria në detyrë, me qasje armiqësore, po godet direkt prodhuesin vendor, mirëqenien e fermerit, familjen e tij dhe gjithë ekonominë tonë. Ftoj institucionet të reflektojnë dhe t’i marrin seriozisht kërkesat e fermerëve dhe t’i kompensojnë dëmet e shkaktuara. Të mos i trajtojnë si kundërshtarë, por si partnerë në zhvillimin ekonomik të vendit”, shkroi Haradinaj.

Go to TOP