Ndeshja Meksikë-Angli shtyhet për shkak të stuhisë

Ndeshja e Anglisë kundër Meksikës është shtyrë për shkak të një stuhie me rrufe në Mexico City.

Ndeshja në stadiumin “Azteca” ishte planifikuar fillimisht të fillonte në orën 18:00 me orën lokale (02:00 me orën e Mbretërisë së Bashkuar), por tani do të fillojë një orë më vonë nga sa ishte parashikuar. Në fillim të kësaj jave, u bë e ditur se parashikimi i motit kishte paralajmëruar stuhi rreth orarit të ndeshjes, duke rritur mundësinë e vonesave ose pezullimeve.

Ndërkohë që situata atmosferike mbetet e paqëndrueshme, ambientet e brendshme të stadiumit “Azteca” po fillojnë të gjallërohen. Shkallët e stadiumit po popullohen gradualisht me tifozë që kanë arritur të hyjnë, mes të cilëve vihet re edhe prania e mbështetësve britanikë, të cilët kanë nisur të zënë vendet e tyre pavarësisht vonesave të shkaktuara nga stuhia elektrike.

Stadiumi legjendar “Azteca” në Mexico City është goditur nga një stuhi e fuqishme rrufesh, duke detyruar autoritetet dhe FIFA-n të vënë në zbatim protokollet e emergjencës.

Protokolli i sigurisë dhe vonesat

Për shkak të rrezikut të lartë nga stuhia elektrike, zyrtarët kanë kufizuar hyrjen në fushë, duke ndaluar çdo prani në tapetin e gjelbër derisa kushtet të përmirësohen. Ndërkohë, mijëra tifozë të pranishëm jashtë stadiumit kanë mbetur të bllokuar, pasi hapja e portave, e planifikuar për në orën 15:00 (ora lokale), u shty për shkak të motit të keq. Edhe përfaqësuesit e medias janë detyruar të qëndrojnë brenda qendrës së komunikimit për arsye sigurie.

Prapaskenat e vendimeve

Mësohet se FIFA kishte shqyrtuar mundësinë e zhvendosjes së ndeshjes më herët gjatë ditës për të shmangur motin e keq, por ky propozim hasi në kundërshtimin e të dyja palëve. Federata Angleze e Futbollit u shpreh kundër ndryshimit të orarit për shkak të logjistikës dhe planeve të tifozëve. Nga ana tjetër, pala meksikane ndjeu shqetësime lidhur me sigurinë, sidomos pas festimeve tragjike pas ndeshjes me Ekuadorin, ku humbën jetën 4 persona.

Një Botëror i ndjekur nga stuhitë

Kjo nuk është hera e parë që moti po dikton axhendën e turneut. Stadiumi “Azteca” ishte përballur më parë me vonesa për shkak të stuhive gjatë përballjes Meksikë–Ekuador në raundin e 32-shes, ndërsa sfida Francë–Irak në fazën e grupeve u ndërpre për më shumë se dy orë. Për momentin, nuk ka një vendim zyrtar për shtyrjen e ndeshjes. Situata po monitorohet minutë pas minute nga FIFA, e cila do të marrë vendimin përfundimtar në bazë të vlerësimit të kushteve atmosferike në vijim.


Go to TOP