Ambasada ruse në Shqipëri mohon akuzat për ndërhyrje në protesta: Janë deklarata të pabaza
Ambasada e Rusisë në Shqipëri ka reaguar ndaj deklaratave të bëra më 2 korrik nga zyrtarë shqiptarë, të cilët kanë përmendur një rol të mundshëm të Kremlinit në protestat që po zhvillohen në vend.
Në një koment publik, ambasada i cilëson këto pretendime si “krejtësisht të pabaza” duke shprehur habi për deklaratat e ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, si dhe të kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.
Sipas ambasadës, Rusia zbaton parimin e mosndërhyrjes në punët e brendshme të shteteve të tjera dhe respekton zgjedhjen e popujve duke bashkëpunuar me qeveritë e zgjedhura në mënyrë legjitime.
“Nuk është hera e parë që politikanët shqiptarë përpiqen t’i imponojnë opinionit publik idenë e të ashtuquajturit ‘ndikim dashakeq’ të Rusisë. U bëjmë thirrje të tregojnë më shumë përgjegjësi në deklarata dhe të mos kërkojnë armiq aty ku nuk ekzistojnë”, thuhet në reagimin e Ambasadës së Rusisë.
Reagimi vjen pas akuzave të ngritura nga zyrtarë shqiptarë për ndikim rus në zhvillimet e fundit politike dhe protestat në Shqipëri. /Kosova.info/
