Ademi pret ambasadorin austriak, flasin për ndeshjet Kosovë-Austri

Ndeshjet që Kombëtarja e Kosovës dhe ajo e Austrisë do t’i zhvillojnë në kuadër të Nations League gjatë muajve shtator dhe tetor kanë qenë temë bisede të një takimi ndërmjet kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademit dhe Ambasadorit të Austrisë në Kosovë, Georg Schnetzer.

Ademi ka pritur në selinë e FFK-së ambasadorin Schnetzer, në një takim të cilin e ka cilësuar miqësor dhe konstruktiv.

“Sot pata kënaqësinë të mirëpres në Federatën e Futbollit të Kosovës Ambasadorin e Austrisë në Kosovë, Georg Schnetzer, në një takim miqësor dhe shumë konstruktiv. Gjatë takimit biseduam për bashkëpunimin e shkëlqyer ndërmjet dy vendeve tona në fushën e sportit, me fokus të veçantë në përballjet e ardhshme ndërmjet Kosovës dhe Austrisë. Në qendër të diskutimeve ishin ndeshjet e Kombëtares së Kosovës dhe Kombëtares së Austrisë në kuadër të UEFA Nations League, të cilat do të zhvillohen gjatë muajve shtator dhe tetor, si dhe për ndeshjet e rëndësishme të Kombëtares së Kosovës në konkurrencën e vajzave, e cila në muajin tetor do të përballet me Austrinë në fazën “Play-Off” për kualifikim në Kampionatin Botëror 2027. Në frymën e miqësisë dhe bashkëpunimit të ndërsjellë, u dakorduam që të organizojmë aktivitete të përbashkëta promovuese për këto ndeshje, me synim afrimin e tifozëve me ekipet kombëtare dhe krijimin e një atmosfere sa më të veçantë sportive”, ka shkruar Ademi. “Ky takim rikonfirmoi edhe një herë raportet shumë të mira ndërmjet Kosovës dhe Austrisë, si dhe gatishmërinë tonë të përbashkët për të zgjeruar bashkëpunimin në projekte të reja që i shërbejnë zhvillimit të sportit dhe forcimit të lidhjeve ndërmjet dy vendeve tona”.


Go to TOP