Resuli: Tre vite në krye të Urdhrit të Mjekut Veterinar, misioni vazhdon me më shumë motivim

Presidenti i Urdhrit Profesional të Mjekut Veterinar, Ervin Resuli, ka shënuar trevjetorin e marrjes së detyrës duke reflektuar mbi sfidat, arritjet dhe përvojat e fituara gjatë kësaj periudhe.

Përmes një mesazhi publik, Resuli kujtoi se më 24 qershor 2023 u ul për herë të parë në zyrën e institucionit, ndërsa sot, pas 1,095 ditësh pune, e konsideron këtë periudhë si një rrugëtim që e ka forcuar profesionalisht dhe personalisht.

Ai theksoi se gjatë këtyre tre viteve ka fituar miq e bashkëpunëtorë të rinj brenda dhe jashtë Shqipërisë, ndërsa ka mësuar të dallojë mbështetësit e vërtetë në momentet më të vështira.

Resuli u shpreh se nuk pretendon të ketë ndërtuar “një kështjellë”, por ndihet krenar që ka kontribuar në zhvillimin e institucionit dhe ka lënë gjurmën e tij në historinë e tij.

“Kam provuar se me vullnet, punë dhe përkushtim mund të ndryshosh realitete që duken të pandryshueshme”, ka deklaruar ai.

Në mesazhin e tij, ai falënderoi familjen, kolegët, miqtë dhe bashkëpunëtorët për mbështetjen e vazhdueshme, ndërsa vlerësoi edhe kritikët duke thënë se e kanë ndihmuar të bëhet më i fortë dhe më këmbëngulës.

Në përmbyllje, Resuli theksoi se ndihet më i motivuar se kurrë për të vazhduar punën në shërbim të profesionit veterinar.

“Beteja vazhdon. Sfida vazhdon. Misioni vazhdon. Sepse kur beson te kauza, nuk ndalesh. Ecën përpara”, përfundoi ai. /Kosova.info/


Go to TOP