Gashani: Po ndërtojmë sigurinë e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030 sipas standardeve evropiane
Ministri i Sportit dhe i Rinisë, Blerim Gashani, ka bërë të ditur se sot është mbajtur Konferenca e Parë Ndërkombëtare për Sigurinë e Ngjarjeve të Mëdha Sportive, një aktivitet i rëndësishëm në kuadër të përgatitjeve për organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030.
Sipas Gashanit, në konferencë morën pjesë edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, si dhe ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guérot.
Ai theksoi se gjatë konferencës u diskutua për praktikat më të mira ndërkombëtare në organizimin dhe garantimin e sigurisë së ngjarjeve të mëdha sportive duke përfituar nga përvoja e ekspertëve që kanë qenë pjesë e organizimit të Paris 2024 Olympic Games.
“Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030 janë ngjarja më e rëndësishme sportive që do të organizohet në Kosovë në vitet e ardhshme dhe një mundësi historike për të dëshmuar potencialin e vendit tonë. Suksesi i këtij projekti nuk ndërtohet në ditën e hapjes së Lojërave, por çdo ditë përmes planifikimit, koordinimit dhe përkushtimit institucional”, ka deklaruar Gashani.
Ai ka ritheksuar përkushtimin e Ministrisë së Sportit dhe të Rinisë për përgatitjen e këtij eventi madhor, duke nënvizuar se në bashkëpunim me institucionet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë po punohet që Kosova të jetë e gatshme të organizojë Lojërat Mesdhetare sipas standardeve më të larta evropiane.
Sipas tij, organizimi i suksesshëm i Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030 do të lërë një trashëgimi të qëndrueshme për sportin, rininë dhe zhvillimin e vendit. /Kosova.info/
