AUV alarmon për ujin mineral “Kllokoti”, urdhërohet tërheqja nga tregu për shkak të nivelit të lartë të borit
Agjencia e Ushqimit dhe e Veterinarisë (AUV) ka njoftuar se, përmes Sistemit Evropian të Alarmimit të Shpejtë për Ushqim dhe Ushqim për Kafshë (RASFF), është informuar për largimin nga tregu të produktit “Ujë Mineral” të brendit Kllokoti, pas konstatimit të niveleve të larta të borit (Boron), të cilat tejkalojnë kufijtë e lejuar.
Sipas njoftimit, rasti është regjistruar me numrin 2026.5529, ndërsa niveli i rrezikut është vlerësuar si serioz.
Produkti i prekur është eksportuar nga kompania Rugove Sh.P.K., ndërsa përfshin këto paketime dhe data skadence:
Paketimi 1.5 litra, me datë skadimi: 05.01.2027 dhe 07.04.2027;
Paketimi 0.5 litra, me datë skadimi: 16.02.2027, 19.02.2027, 04.04.2027 dhe 07.04.2027.
Pas marrjes së njoftimit, AUV ka bërë të ditur se do të ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore për të parandaluar rreziqet e mundshme për shëndetin e konsumatorëve. Inspektimet do të nisin tek prodhuesi për të identifikuar burimin e kontaminimit, ndërsa do të realizohet edhe gjurmimi i të gjitha loteve të prodhimit që mund të lidhen me rastin.
Po ashtu, operatorët ekonomikë dhe distributorët janë urdhëruar të fillojnë menjëherë tërheqjen e produktit nga tregu, ndërsa konsumatorëve që posedojnë shishet me datat e lartpërmendura të skadencës u është bërë thirrje t’i kthejnë ato në pikat ku janë blerë.
Ministria e Bujqësisë, e Pylltarisë dhe e Zhvillimit Rural, përmes AUV-së, ka theksuar se do të veprojë me prioritet për garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve. /Kosova.info/
