Pas identifikimit të eshtrave, u rivarros dëshmori Hajdar Pepaj
Pas 27 vjetësh nga rënia dhe identifikimi i eshtrave të tij, në Kodrali të Deçanit është rivarrosur dëshmori i kombit, Hajdar Pepaj, në një ceremoni me nderime ushtarake dhe pjesëmarrje të madhe qytetarësh. Sipas institucioneve, edhe 1 mijë e 580 persona vazhdojnë të figurojnë të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë.
Pas një procesi të gjatë identifikimi, 27 vjet pas rënies dhe gjetjes së eshtrave të tij, në Kodrali të Deçanit është rivarrosur dëshmori i kombit, Hajdar Pepaj.
Në prani të qindra qytetarëve deçanas, dëshmorit Pepaj iu dha lamtumira e fundit me nderime ushtarake nga Garda e Nderit e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
“Për ne kjo është një ditë shumë e rëndësishme. Natyrisht, gëzimi dhe dhimbja janë bashkë. Mbi të gjitha, ndiejmë krenari që patëm fatin ta varrosim dhe t’ia përmbushim amanetin ashtu siç është më së miri. Unë nuk e mbaj mend, sepse kam qenë shumë e vogël, por jam shumë krenare që jam fëmija i tij. Jam krenare për sakrificën që ai e bëri për vendin tonë”, tha Leotrina Pepaj, vajza e Hajdar Pepajt.
“Familja e ka ditur se çdo pjesëtar i UÇK-së që iu bashkua radhëve të saj ishte i vetëdijshëm për rrezikun e vdekjes. Por për 27 vjet Hajdari nuk ka pasur varr, nuk ka pasur asnjë shenjë që tregonte se ku ndodhej. Më në fund, sot ai ka varrin e tij, që dëshmon se Hajdari është dëshmori i 14-të i fshatit Kodrali”, tha Lulzim Gjonaj, kryeplak i Kodralisë.
“Ashtu siç është traditë e popullit tonë fisnik që edhe ditët e dhimbjes t’i ndajmë bashkë, sot ishim pranë familjes dhe përfaqësuesve institucionalë në ceremoninë e rivarrimit të Hajdar Pepajt, birit të kësaj toke, një ushtari të lirisë, fati dhe vendndodhja e të cilit mbetën të panjohura për 27 vjet. Kjo ishte një plagë e hapur për familjen, bashkëluftëtarët dhe mbarë vendin”, tha Kushtrim Gara, Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur.
Sipas zyrtarëve të Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, edhe 1 mijë e 580 persona të tjerë vazhdojnë të figurojnë të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë, ndërsa fati i tyre ende nuk dihet.
