Ancelotti paralajmëron ndryshime: Në kokën time gjithçka është e qartë
Kombëtarja e Brazilit pritet të paraqitet me një formacion të ndryshuar në ndeshjen e dytë të Grupit C në Kupën e Botës 2026, ku do të përballet me Haitin.
Pas barazimit 1:1 ndaj Marokut në sfidën hapëse, trajneri Carlo Ancelotti ka lënë të kuptohet se do të bëjë lëvizje në formacion për takimin që zhvillohet në stadiumin “Lincoln Financial Field” në Filadelfia.
Tekniku italian nuk zbuloi se cilët futbollistë do të preken nga ndryshimet, por konfirmoi se ka vendosur tashmë për skuadrën që do të zbresë në fushë.
“Në kokën time gjithçka është e qartë. Nuk mund të flas për ndryshimet, sepse as vetë lojtarët nuk janë informuar ende. Nuk do të ishte korrekte ndaj tyre të përmendja emra tani”, deklaroi Ancelotti në konferencën për media.
Brazili synon të rikthehet te fitorja dhe të marrë tre pikët e para në turne, ndërsa përballja me Haitin shihet si një mundësi ideale për të hedhur pas krahëve zhgënjimin e barazimit ndaj Marokut.
Ndeshja mes Brazilit dhe Haitit nis në orën 02:30, në natën mes së premtes dhe së shtunës.
