AKB ngre dyshime për rritjen ekonomike prej 5.43%: Pse po varfërohen qytetarët dhe po rëndohen bizneset?
Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka reaguar ndaj deklarimeve të Qeverisë së Kosovës për rritjen ekonomike prej 5.43 për qind, duke kërkuar analizë më të thelluar të kësaj shifre dhe transparencë mbi faktorët që kanë ndikuar në këtë rezultat.
Sipas AKB-së, rritja ekonomike duhet të vlerësohet jo vetëm përmes statistikave makroekonomike, por edhe përmes ndikimit real që ka në mirëqenien e qytetarëve dhe në zhvillimin e bizneseve.
“Rritja ekonomike duhet të matet me fuqinë reale të ekonomisë dhe mirëqenien e qytetarëve”, thuhet në reagimin e AKB-së.
Organizata thekson se, nëse ekonomia është rritur me 5.43 për qind, ndërsa inflacioni ka arritur rreth 7.5 për qind, atëherë duhet të sqarohet se sa është rritja reale ekonomike dhe sa prej saj është konsumuar nga rritja e çmimeve.
Sipas AKB-së, kjo rritje nuk po reflektohet mjaftueshëm në sektorin privat, prodhim, eksport, investime të reja dhe në rritjen e fuqisë blerëse të qytetarëve. Përkundrazi, bizneset po përballen me kosto më të larta operative, çmime më të larta të energjisë, mungesë të fuqisë punëtore dhe sfida në zgjerimin e aktiviteteve të tyre.
AKB vlerëson gjithashtu se një pjesë e rritjes ekonomike mund të jetë nxitur kryesisht nga konsumi, remitancat, fondet sociale dhe shpenzimet publike, ndërsa kontributi i sektorëve produktivë mbetet i kufizuar.
“Një ekonomi e qëndrueshme nuk mund të mbështetet vetëm në konsum, por duhet të ndërtohet mbi prodhim vendor, investime private, eksport dhe rritje të konkurrueshmërisë”, thekson organizata.
AKB ka kërkuar publikimin e analizave të detajuara që tregojnë qartë se cilët sektorë kanë kontribuar në rritjen ekonomike dhe çfarë përfitimesh konkrete kanë pasur bizneset dhe qytetarët.
Në fund, kryetari i AKB-së, Agim Shahini, theksoi se Kosova ka nevojë për rritje ekonomike reale, të qëndrueshme dhe të ndjeshme për çdo qytetar dhe biznes, duke shtuar se suksesi ekonomik duhet të matet me mirëqenien, investimet, prodhimin dhe vendet e punës, e jo vetëm me tregues makroekonomikë.
