Kryeprokurori i Apelit padit KPK’në, refuzoi ta caktojë përgjegjës për rishikimin e vendimeve të Komisionit në FFK

Kryeprokurori i Prokurorisë së Apelit, Agron Bajrami e ka paditur Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK) për shkak të vendimit me të cilin u refuzua që të caktohet përgjegjës për rishikimin e vendimeve të Komisionit të Apelit në Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK). Në anën tjetër, kryesuesi i KPK-së, Arian Gashi ka thënë se vendimi ishte kolegjial, i bazuar në Rregulloren për Organizimin dhe Veprimtarinë e KPK-së.

Fillimisht, KPK-ja në takimin e mbajtur më 18 maj 2026 kishte refuzuar propozimin që Agron Bajrami të caktohet si përgjegjës për rishikimin e vendimeve të Komisionit të Apelit në FFK, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Në atë takim, anëtari Visar Krasniqi kishte thënë se është e palogjikshme që Bajrami ka propozuar veten për këtë Bord, kur dihet se nga angazhimet aty realizon edhe të ardhura. Në anën tjetër, anëtari Milot Krasniqi kishte deklaruar se propozimi është i Federatës dhe se Bajrami ka kërkuar vetëm pëlqimin nga KPK.

Ndërkaq, në vendimin e KPK-së të publikuar në ueb-faqe, në pjesën e
arsyetimit, thuhet se refuzimi i Bajramit u bë bazuar në legjislacionin
në fuqi.


“Pas shqyrtimit të kërkesës, Këshilli me shumicë të votave duke u
bazuar në legjislacioni në fuqi vendosi si në dispozitiv të këtij
vendimi”, thuhet në vendim.


Kurse, KPK në takimin e 15 qershor 2026, pas propozimit të FFK-së,
kishte caktuar në këtë Komisioni, prokuroren e Prokurorisë Themelore në
Prishtinë, Fitore Sadikaj.


Pas këtij vendimi, Kryeprokurori Bajrami i kishte dërguar kërkesë
KPK-së që të bëjë rishqyrtim të vendimit, me arsyetimin se refuzimi
është bërë pa asnjë arsyetim konkret dhe se çdo vendim i institucionit
publik veçanërisht KPK-së duhet të përmbajë arsyetimin mbi refuzim.
Bajrami kishte theksuar në këtë kërkesë, se caktimi i Sadikajt dhe
refuzimi i tij në këtë Komision, krijon përshtypjen për trajtim të
pabarabartë.


“Barazia në trajtim, objektivitet dhe zbatimi i njëjtë i standardeve
janë parime themelore të funksionimit të sistemit prokurorial”, thuhet
në këtë kërkesë.





Andaj, Bajrami ka konfirmuar  se për këtë çështje ka paraqitur padi
në Gjykatë, ku ndër të tjera theksoi se ka trajtim jo të barabartë të
prokurorëve brenda sisistemit.


“Arsyet pse nuk është aprovu nuk i di as unë, është një vendim i
Këshillit, por për mendimin tem është shumë abstrakt nuk ka ndonjë arsye
ligjore që është theksuar qartë e me thanë kjo është arsyeja që qëndron
se pse nuk është aprovu. Për më tepër, në mbledhjen pasuese të
Këshillit, aprovohet një kërkesë tjetër e prokurorit edhe pse Këshilli
nuk ka mandat për prokuror- është në kompetencë të Kryeprokurorit të
prokurorisë përkatëse e jo në kompetencë të Këshillit me miratu kërkesat
e prokurorëve a kërkesat e Kryeprokurorëve kalojnë përmes Këshillit.
Unë kam paraqit padi në Gjykatën Themelore të Prishtinës. Kam dërgu edhe
kërkesë për rishqyrtim te Këshilli se ka trajtim jo të barabartë të
prokurorëve brenda sistemit- një prokurori me ia aprovu, tjetrit me ia
refuzu. Unë kam pranu kërkesën prej Federatës e kam procedu në Këshill,
Këshilli janë kompetentë me vendos për Kryeprokurorët”, u shpreh
Bajrami.


Në përgjigjen e dhënë nga kryesuesi Arian Gashi, fillimisht theksohet
se vendimi për refuzim është bërë bazuar në Rregulloren për Organizimin
dhe Veprimtarinë e Këshillit Prokurorial të Kosovës, sipas së cilës
çështjet që i adresohen Këshillit shqyrtohen dhe vendosen në mënyrë
kolegjiale, përmes votimit të anëtarëve.


“Vendimmarrja e Këshillit është bazuar në kompetencat e tij
Kushtetuese dhe ligjore si dhe në dispozitat e Rregullores nr. 02/2026
për Organizimin dhe Veprimtarinë e Këshillit Prokurorial të Kosovës,
sipas së cilës, çështjet që i adresohen Këshillit shqyrtohen dhe
vendosen në mënyrë kolegjiale, përmes votimit të anëtarëve”

.

Go to TOP