Martinez kërkon qetësi pas barazimit zhgënjyes të Portugalisë
Trajneri i Portugalisë, Roberto Martinez, ka bërë thirrje për qetësi dhe reflektim pas barazimit 1:1 ndaj Kongos në ndeshjen e parë të Kupës së Botës 2026.
Portugalia e nisi mirë takimin në Houston, duke kaluar në epërsi në minutat e para, por më pas humbi kontrollin e lojës dhe u detyrua të kënaqet vetëm me një pikë, në një paraqitje që u cilësua zhgënjyese duke marrë parasysh pritshmëritë e larta.
Martinez pranoi se presioni për të fituar Botërorin ka ndikuar te skuadra, por theksoi se ka edhe elemente pozitive në lojën e ekipit.
“Mendoj se është më shumë çështje e mentalitetit dhe e heqjes së peshës nga supet e lojtarëve që duan të fitojnë Kupën e Botës. Tani duhet të jemi të qetë, të analizojmë ndeshjen dhe të theksojmë gjërat e mira që bëmë. Njëkohësisht duhet të përmirësojmë gabimet, sepse kështu funksionon një Botëror”, u shpreh ai.
Trajneri spanjoll vlerësoi gjithashtu kundërshtarin, duke thënë se Kongo tregoi intensitet dhe personalitet të madh në fushë.
“E dinim që Kongo mund të luante në atë nivel, nuk ishte surprizë. Ata ishin shumë intensivë dhe të sigurt në lojën e tyre”, shtoi Martinez.
Portugalia pritet të rikthehet në fushë më 23 qershor ndaj Uzbekistanit në një ndeshje të rëndësishme për ecurinë në grup, ndërsa më 27 qershor do të përballet me Kolumbinë.
