Tchouameni: Senegali ka cilësi për të bërë hap të madh në Botëror

Mesfushori i Francës, Aurelien Tchouameni, ka vlerësuar lart kombëtaren e Senegalit, pavarësisht humbjes në ndeshjen e parë të Grupit I në Kupën e Botës 2026.

Senegali u mposht 3:1 nga Franca në “MetLife Stadium”, në një ndeshje ku “Luanët e Terangës” zhvilluan një paraqitje të fortë, por u ndëshkuan në pjesën e dytë nga efektiviteti i kundërshtarit dhe dy golat e Kylian Mbappe, ndërsa Bradley Barcola shtoi një tjetër gol për francezët.

Pavarësisht rezultatit, Tchouameni tha se Senegali është një skuadër me potencial të madh dhe kampione e Afrikës, që mund të ketë ecuri pozitive në turne.

“Po dhe jo. Po, sepse i sheh shpesh në TV dhe e di që janë kampionët e Afrikës, me lojtarë shumë të mirë. Por kur luan kundër tyre, e kupton edhe më shumë cilësinë e tyre. Mendoj se do të bëjnë paraqitje të mirë në këtë turne”, u shpreh ai.

Nga ana tjetër, portieri i Senegalit, Wdouard Mendy, ka kërkuar reagim të shpejtë nga skuadra pas humbjes, duke theksuar se fokusi tashmë duhet të kalojë te ndeshja e radhës kundër Norvegjisë më 23 qershor.

“E dimë forcën tonë dhe se mund të bëjmë më mirë. Na mungoi kontrolli në posedim dhe qëndrueshmëria, por përballë kishim një Francë shumë të fortë. Edhe sikur ta kishim fituar atë ndeshje, grupi do të mbetej i hapur. Tani duhet të rikuperohemi dhe të mendojmë për Norvegjinë”, deklaroi Mendy.

Ai shtoi se Senegali kishte raste të mira, sidomos në pjesën e parë, por mungesa e konkretizimit dhe gabimet në përqendrim i kushtuan ndaj një rivali të nivelit të lartë si Franca.

Senegali do të luajë ndeshjen e dytë të grupit më 23 qershor kundër Norvegjisë, e cila e nisi turneun me fitore të thellë 4:1 ndaj Irakut.

Go to TOP