Fenerbahçe konfirmon rikthimin e Vedat Muriqit

Klubi turk, Fenerbahçe ka njoftuar zyrtarisht arritjen e marrëveshjes në parim me sulmuesin e Kosovës, Vedat Muriqi, i cili pritet të rikthehet në klubin turk pas eksperiencës në La Liga me Mallorca.

Sipas klubit, Muriqi do të mbërrijë në Stamboll më 18 qershor në orën 21:00, ku do t’i nënshtrohet vizitave mjekësore dhe më pas do të finalizojë procedurat e transferimit.

“Futbollisti Vedat Muriqi, me të cilin klubi ynë ka arritur marrëveshje në parim, do të vijë sonte në Stamboll për t’iu nënshtruar kontrollit mjekësor dhe për të përfunduar fazën e fundit të bisedimeve për transferimin. Aeroplani që transporton Vedat Muriqin do të aterojë sonte në ora 21:00 në Terminalin Ndërkombëtar të Aeroportit Sabiha Gökçen. E bëjmë këtë njoftim për opinionin publik”, thuhet në deklaratën e Fenerbahçes.

Sipas raportimeve, transferimi i sulmuesit dardan nga Mallorca kap vlerën rreth 15 milionë euro.

Muriqi nuk është i panjohur për Fenerbahçen, ku gjatë sezonit 2019/20 shënoi 15 gola dhe regjistroi 5 asistime, para se të transferohej te Lazio pas një sezoni të vetëm në Turqi.

Go to TOP