Reali nuk dorëzohet për Olise, gati super oferta
Real Madridi nuk ka hequr dorë nga transferimi i Michael Olise dhe është i gatshëm të bëjë një tjetër përpjekje të madhe për ta bindur Bayern Munichun të pranojë largimin e francezit.
Sipas “Marca”, drejtuesit e klubit madrilen po shqyrtojnë mundësinë e rritjes së ofertës deri në 220 milionë euro për yllin francez, i cili aktualisht është i angazhuar me kombëtaren e Francës në Kupën e Botës 2026.
Megjithatë, një operacion i tillë do të kërkonte sakrifica financiare nga ana e “Los Blancos”. Për këtë arsye, klubi po mendon shitjen e një prej mesfushorëve kryesorë të skuadrës për të krijuar hapësirë në buxhet.
Sipas të njëjtit burim, dy emrat që mund të largohen janë Federico Valverde dhe Aurélien Tchouaméni, të cilët vazhdojnë të jenë ndër lojtarët më të vlerësuar në tregun evropian.
Ndërkohë, presidenti Florentino Perez raportohet se e ka vendosur prioritet transferimin e Olise, duke lënë në plan të dytë interesimin për Enzo Fernandez. Mesfushori argjentinas prej kohësh është lidhur me një kalim te Real Madridi, ndërsa thuhet se dëshiron të largohet nga Chelsea.
Pavarësisht spekulimeve të shumta, mbetet të shihet nëse Bayern Munich do të ndryshojë qëndrim për Olise, i cili konsiderohet një nga lojtarët më të rëndësishëm në projektin e klubit bavarez.
