Inaugurohet programi për asistentë të nxënësve me nevoja të veçanta

Qendra Profesionale për Gjithëpërfshirje ka inauguruar programin “Kualifikimi i Nivelit të V-të Post-Sekondar për Asistent për Nxënës me Nevoja të Veçanta Arsimore”, një nismë që synon përgatitjen profesionale të asistentëve për mbështetjen e nxënësve me nevoja të veçanta në sistemin arsimor.

Ky program realizohet me mbështetjen e LuxAid Challenge Fund, financuar nga Qeveria e Luksemburgut dhe zbatuar nga LuxDev – Agjencia Luksemburgase për Bashkëpunim Zhvillimor.

Në ceremoninë e inaugurimit mori pjesë edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili theksoi rëndësinë e krijimit të një sistemi arsimor gjithëpërfshirës dhe mbështetës për çdo fëmijë.

“Është me rëndësi të krijojmë një sistem ku fëmija e takon shtetin dhe e sheh se ai është ofrues i mundësive të barabarta, por që në të njëjtën kohë kujdeset më shumë për ata që kanë më shumë nevojë. Kur fëmija takohet me shtetin në sistemin arsimor, duhet ta ndiejë se mundësitë janë të barabarta dhe se për nevojat e veçanta ka përkushtim të veçantë”, tha Kurti.

Ai u uroi suksese pjesëmarrësve në program, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes institucionale për nxënësit me nevoja të veçanta.

Në këtë ngjarje foli edhe drejtoresha e Qendrës Burimore për Mësim dhe Këshillim për Përparimin në Prishtinë, Vendrita Dushi, e cila vlerësoi bashkëpunimin me Qendrën Profesionale për Gjithëpërfshirje dhe partnerët e saj.

Dushi tha se programi do të kontribuojë në përgatitjen e një gjenerate të re profesionistësh, të cilët përveç njohurive profesionale do të kultivojnë edhe humanizmin dhe përkushtimin ndaj fëmijëve me nevoja të veçanta.

“Nuk kam dyshim se me profesionalizmin dhe përkushtimin tuaj do të bëni më të mirën që gjenerata e ardhshme e asistentëve të marrë jo vetëm një diplomë, por edhe një mision për t’i shërbyer nxënësve me nevoja të veçanta me dashuri dhe përkushtim”, tha ajo.

Sipas saj, Qendra Burimore për Mësim dhe Këshillim për Përparimin do të vazhdojë të mbështesë studentët dhe stafin e programit, me synimin për të ndërtuar një sistem sa më të fuqishëm mbështetës për nxënësit me nevoja të veçanta në Kosovë.

Go to TOP