Rama: Qeveria e propagandës po u kushton qytetarëve me jetë dhe miliona euro

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar ashpër ndaj Qeverisë së Kosovës pas aksidentit tragjik në autostradë dhe raportimeve për shpenzimin e 4.67 milionë eurove për largimin e dheut nga autostrada.

Përmes një postimi publik, Rama tha se qytetarët po paguajnë çmimin e neglizhencës institucionale si me jetët e humbura ashtu edhe me taksat e tyre.

“Dje Kosova u zgjua me lajmin tragjik të humbjes së jetëve në autostradë. Sot u zgjua me lajmin se heqja e atij dheu, që për vite u la aty pa u trajtuar, do t’u kushtojë qytetarëve 4.67 milionë euro”, ka deklaruar ai.

Sipas Ramës, fakti që problemi është lënë i pazgjidhur për vite të tëra dhe po trajtohet vetëm tani, dëshmon dështimin e institucioneve për të vepruar me kohë.

Ai ka kritikuar edhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti duke thënë se vazhdon t’ia atribuojë përgjegjësinë qeverive të kaluara për problemet aktuale, ndërsa merr meritat për çdo sukses.

“Shtetin e gjete me autostrada të ndërtuara, ndërsa sot nuk arrin as t’i mirëmbash. Për çdo dështim fajin e ka e kaluara, ndërsa për çdo propagandë meritat i merr vetë”, ka shkruar Rama.

Kryetari i Prishtinës e ka cilësuar ekzekutivin aktual si “qeveri të propagandës, kontratave njëburimore dhe tragjedive që mund të parandaloheshin” duke shtuar se investimet në promovim dhe komunikim publik po mbizotërojnë ndaj zgjidhjes së problemeve reale të qytetarëve.

Në fund, ai ka vlerësuar se mungesa e përgjegjësisë dhe reagimi i vonuar institucional po prodhojnë pasoja të rënda për qytetarët, të cilët sipas tij po paguajnë çmimin me jetën dhe me paratë e tyre. /Kosova.info/

Go to TOP