“Rugby Europe Sevens Conference 2” në Istog nis me ndeshje intensive
Kanë filluar ndeshjet në kuadër të turneut “Rugby Europe Sevens Conference 2” që po zhvillohet, në stadiumin “Demush Mavraj” në Istog.
Ky event ndërkombëtar i ragbit, i cili po mbahet sot më 13 dhe nesër më 14 qershor 2026, ka mbledhur disa shtete që garojnë për ngritje në nivel më të lartë të garës.
Ndërkohë, ndeshjet e pjesës së parë të turneut “Rugby Europe Sevens Conference 2” në Istog, kanë përfunduar ku u regjistruan disa rezultate bindëse, Gjibraltari triumfoi ndaj San Marinos me rezultat 10-5, Mali i Zi fitoi ndaj Bosnja dhe Hercegovinës 21-5, ndërsa Estonia mposhti Greqinë 31-5, në përballjen tjetër Sllovakia dominoi Kosovën me rezultat 42-0.
Ndeshjet zhvillohen në formatin “7-a-sdie”, ku secila përballje zgjat vetëm 14 minuta dhe karakterizohet me ritëm të lartë dhe intensitet të madh në fushë. Ky turne është pjesë e garave të organizuara nga ‘Rugby Europe’, që përfshijnë disa divizione dhe shërbejnë si sistem promovimi për ekipet më të suksesshme.
Gjatë ditës do të zhvillohen ndeshjet e tjera të mbetura, ndërsa skuadrat synojnë rezultate pozitive për të siguruar avancimin në fazat e ardhshme.
