Kosova dhe Serbia në të njëjtin grup në Lojërat Mesdhetare, Dushku: U befasuam
Kosova është vendosur në një grup të fortë në garën e basketbollit 3×3 të Lojërave Mesdhetare “Taranto 2026”, ku do të përballet me Serbinë, Turqinë dhe Portugalinë. Prania e Kosovës dhe Serbisë në të njëjtin grup ka tërhequr vëmendje të veçantë, pasi në kompeticionet e organizuara nga FIBA, zakonisht shmangen përballjet mes dy shteteve që në fazat e hershme të garës.
Sekretarja e përgjithshme e Federatës së Basketbollit të Kosovës, Elvira Dushku, tha në një intervistë për KosovaPress, se shorti ishte befasues për federatën, duke kujtuar se në të kaluarën FIBA ka aplikuar praktikën e shorteve të dirigjuara për të mos vendosur Kosovën dhe Serbinë në të njëjtin grup.
“Në fakt kur ka ndodhur shorti dhe e kemi marrë informatën nga Komiteti Olimpik i Kosovës. Ne pak jemi habitur sepse po mendoj të gjitha shortet e FIBA-s, janë të dirigjuara në atë mënyrë që të mos bien e të takohen Kosova dhe Serbia dhe ka pasur shorte në fillim kur jemi pranuar që as Lituania dhe Letonia ka pasur shorte që FIBA i ka dirigjuar për të mos u përballur as ato të dy, kështu që për ne ka qenë pak habi dhe kemi thënë në rregull, me siguri nesër do të na lajmërojnë që kjo nuk është diçka e mundur por nuk ka ndodhur deri më sot”, theksoi Dushku.
Ajo bëri të ditur se Federata e Basketbollit e Kosovës, ka kërkuar sqarime nga organizatorët e Lojërave Mesdhetare “Taranto 2026”, por ende nuk ka marrë ndonjë përgjigje zyrtare.
Pavarësisht paqartësive, Dushku theksoi se Kosova do të jetë e gatshme të garojë nëse përballja me Serbinë mbetet pjesë e programit zyrtar të turneut.Ajo kujtoi edhe një rast të ngjashëm nga viti i kaluar në garat elektronike të FIBA-s, kur Kosova ishte vendosur në grup me Serbinë, por më pas organizatori kishte ndërhyrë për ta korrigjuar shortin.
Dushku përfundoi duke thënë se ditëve në vijim do të diskutojnë me Ministrinë e Sportit dhe Komitetin Olimpik të Kosovës për të parë hapat që do të merren në këtë drejtim.
