Witsel: Këtë Kupë Bote do ta përjetoj si të parën, se mund të jetë e fundit

Mesfushori belg, Axel Witsel, ka deklaruar se do ta shijojë çdo moment të Kupës së Botës 2026, pasi turneu mund të jetë i fundit në karrierën e tij me kombëtaren e Belgjikës.

Tridhjetë e shtatë vjeçari, i cili ka qenë pjesë e përfaqësueses belge që nga viti 2010, do të marrë pjesë në Botërorin e tij të katërt. Witsel ishte një nga figurat kryesore të asaj që njihej si “gjenerata e artë” e Belgjikës dhe sot është lojtari më i vjetër në përbërjen e “Djajve të Kuq”.

“Do ta përjetoj këtë Kupë Bote sikur të ishte e para, sepse ka shumë mundësi të jetë e fundit. Do të bëj gjithçka për ta shijuar çdo moment, jo vetëm ndeshjet, por edhe stërvitjet dhe kohën me bashkëlojtarët”, ka thënë Witsel.

Me 138 paraqitje për Belgjikën, ai ka përjetuar momente të mëdha me kombëtaren, përfshirë vendin e tretë në Kupën e Botës 2018, që mbetet suksesi më i madh në historinë e futbollit belg. Megjithatë, katër vjet më vonë, Belgjika u eliminua që në fazën e grupeve.

Nën drejtimin e trajnerit Rudi Garcia, ky mund të jetë shansi i fundit për veteranët si Witsel, Romelu Lukaku, Kevin De Bruyne, Thibaut Courtois dhe Thomas Meunier për të fituar një trofe të madh me Belgjikën.

Witsel vlerëson se përzierja mes përvojës dhe rinisë do të jetë një nga armët kryesore të skuadrës belge në këtë Botëror.

“Mendoj se është shumë e rëndësishme të ketë ekuilibër mes gjeneratës së re dhe asaj me përvojë. Ne veteranët jemi këtu për t’i ndihmuar lojtarët e rinj dhe për t’ua bërë më të lehtë përshtatjen në një turne kaq të madh”, ka theksuar ai.

Megjithatë, mesfushori pranon se Belgjika nuk hyn në këtë Kupë Bote si një nga favoritët kryesorë për titull.

“Duhet të jemi realistë. Ka kombëtare më të forta se ne, si Franca, Spanja dhe Argjentina. Por Kupa e Botës gjithmonë ka surpriza. E pamë këtë edhe në Katar, ku Maroku arriti shumë larg”, ka deklaruar Witsel.

Go to TOP