Salih Murat: Ministria e Kulturës pranon problemet në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, por pa afate për zgjidhje

Deputeti Salih Murat ka kritikuar Ministrinë e Kulturës së Maqedonisë së Veriut për mungesën e veprimeve konkrete lidhur me gjendjen e trotuareve në Çarshinë e Vjetër të Shkupit.

Përmes një reagimi publik, Murat tha se një muaj më parë kishte parashtruar pyetje parlamentare për gjendjen e rënduar të trotuareve në këtë zonë, e cila konsiderohet një nga destinacionet më të vizituara turistike dhe pjesë e trashëgimisë së mbrojtur kulturore.

Sipas tij, Ministria ka pranuar se trotuaret janë dëmtuar, se janë kryer ndërhyrje të papërshtatshme pa dijeninë e autoriteteve dhe se gjendja po vazhdon të përkeqësohet. Megjithatë, deputeti theksoi se përgjigjja nuk përmban afate konkrete për nisjen e punimeve, burimet financiare apo masat e përkohshme për sigurinë e vizitorëve.

Murat ngriti shqetësime edhe për mungesën e informacionit rreth Programit për Revitalizimin e Çarshisë së Vjetër të Shkupit, si dhe për funksionimin e Këshillit Kombëtar për Revitalizimin e Çarshisë, të themeluar me ligj të veçantë.

Ai vlerësoi se mosveprimi institucional po i shkakton dëme si trashëgimisë kulturore, ashtu edhe ekonomisë dhe sektorit të turizmit në vend.

Deputeti paralajmëroi se do të vazhdojë të kërkojë përgjegjësi nga institucionet përkatëse, duke kërkuar afate të qarta, buxhet konkret dhe transparencë për zgjidhjen e problemit në Çarshinë e Vjetër të Shkupit.

Go to TOP