Policia dhe Prokuroria: S’ka tolerim për ndërhyrje në zgjedhje

Policia e Kosovës dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit kanë bërë të ditur se po vazhdojnë veprimet për mbrojtjen e integritetit të procesit zgjedhor dhe hetimin e rasteve që lidhen me ndërhyrje të kundërligjshme në zgjedhje.

Në një komunikatë të përbashkët për media, institucionet theksojnë se “gjatë javëve të fundit, institucionet e zbatimit të ligjit kanë pranuar dhe trajtuar informacione të shumta që ndërlidhen me dyshime për ndërhyrje të jashtme dhe aktivitete të kundërligjshme me qëllim të ndikimit në vullnetin e lirë të qytetarëve gjatë procesit zgjedhor”.

Sipas komunikatës, më 19 maj 2026 janë arrestuar shtatë persona të dyshuar për vepra penale që lidhen me cenimin e përcaktimit të lirë të votuesve dhe ushtrimin e presionit politik në komunën e Graçanicës.

Po ashtu, më 4 qershor 2026, në të njëjtën komunë është arrestuar edhe një person tjetër, nën dyshimin për marrje dhe dhënie ryshfeti në lidhje me votimin.

“Këto veprime dëshmojnë përpjekjet aktive për ndërhyrje në zgjedhje si dhe vendosmërinë e institucioneve të Republikës së Kosovës për të mbrojtur integritetin e procesit zgjedhor dhe për të luftuar çdo përpjekje për të ndikuar në mënyrë të kundërligjshme në vullnetin e lirë të votuesve”, thuhet në komunikatë.

Policia dhe Prokuroria njoftojnë se po vazhdojnë trajtimin e informacioneve të tjera dhe monitorimin e aktiviteteve që mund të cenojnë integritetin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit 2026.

Në fund, qytetarët ftohen që “të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës lirshëm, pa presion, pa frikë, pa ndikime të jashtme” dhe të raportojnë çdo rast të dyshuar të presionit, kërcënimit apo ndërhyrjes së kundërligjshme në procesin zgjedhor. /Kosova.info/

Go to TOP