Sherifi: Ekspertët ndërkombëtarë kundër spërkatjes së rriqrave në Kosovë, masa konsiderohet joefektive dhe e dëmshme për mjedisin

Profesori i Fakultetit të Bujqësisë dhe i Veterinarisë, Prof. Dr. Kurt Sherifi, ka bërë të ditur se gjatë takimit shkencor të mbajtur në Madrid nga 3 deri më 5 qershor 2026, në kuadër të projektit PRAGMATICK (COST Action), janë zhvilluar diskutime të rëndësishme mbi zbatimin e protokollit DAMA (Dokumentim, Vlerësim, Monitorim, Veprim) për rriqrat Hyalomma dhe virusin e etheve hemorragjike Krime-Kongo.

Sipas Sherifit, në këtë ngjarje morën pjesë ekspertë të njohur ndërkombëtarë të fushës, përfshirë profesorët Estrada Peña nga Spanja dhe Zati Vatansever nga Turqia, të cilët shprehën kundërshtimin e tyre ndaj projektit të “dezinsektimit hapësinor” në Kosovë, i financuar nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural me rreth 1 milion euro.

Ai theksoi se, sipas ekspertëve, spërkatja e hapësirave për eliminimin e rriqrave nuk jep rezultate efektive dhe njëkohësisht mund të shkaktojë pasoja të konsiderueshme për mjedisin.

“Masa të tilla kundër rriqrave nuk aplikohen në asnjë vend të botës. Kjo formë e spërkatjes përdoret kryesisht kundër mushkonjave, të cilat janë bartëse dhe transmetuese të patogjenëve te njerëzit”, ka deklaruar Sherifi.

Diskutimet në Madrid u fokusuan në qasjet shkencore dhe praktikat më të mira për monitorimin dhe menaxhimin e rriqrave, si dhe në parandalimin e përhapjes së sëmundjeve zoonotike që lidhen me to. /Kosova.info/

Go to TOP