Gresa Bakraqi fitoi medaljen e argjendtë në Monako
Atletja kosovare ka shënuar një tjetër arritje të madhe në arenën ndërkombëtare.
Atletja jonë e njohur, Gresa Bakraqi, është dekoruar me medaljen e argjendtë në Kampionatin Evropian të Shteteve në Zhvillim, i cili u zhvillua në Monako. Bakraqi arriti të rrëmbejë vendin e dytë në disiplinën e vrapimit në 1500 metra, duke dëshmuar sërish formën e saj të lartë, talentin dhe përkushtimin e madh në garat e këtij niveli.
Ky sukses i madh ka marrë edhe vëmendjen e institucioneve shtetërore.
Ministria e Sportit dhe Rinisë e ka përgëzuar zyrtarisht Gresën për këtë rezultat të shkëlqyer, duke shprehur mirënjohje të veçantë edhe për Federatën Atletike të Kosovës, trajnerët dhe gjithë stafin që kontribuojnë çdo ditë në ngritjen e atletikës kosovare.
Ky sukses dëshmon rritjen e vazhdueshme të sportistëve tanë, të cilët po e përfaqësojnë Republikën e Kosovës me dinjitet të plotë anembanë botës.
