ARBËRIE NAGAVCIT NUK I SOSEN SKANDALET/ Skandali me veturën e LuxDev: Qeveria hesht, dyshimet për Nagavcin thellohen
Kosova Info i dërgoi pyetje kabinetit të Kryeministrit për një veturë Toyota të dhuruar nga LuxDev për nevoja institucionale të MAShTI-it, por nuk mori përgjigje. Rasti ngre dyshime për shfrytëzim të kundërligjshëm të pasurisë publike, heshtje administrative dhe përdorim të mundshëm të derivateve nga kontrata publike e ministrisë.
Zyra e Kryeministrit ka zgjedhur të heshtë përballë pyetjeve të Kosova Info lidhur me një rast të rëndë që ngre dyshime serioze për shfrytëzim të kundërligjshëm të një aseti të dhuruar nga projekti LuxDev për nevoja institucionale të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit. Bëhet fjalë për një veturë Toyota, e cila, sipas burimeve të Kosova Info, dyshohet se është marrë në shfrytëzim nga ish-ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, dhe se e njëjta mund të vazhdojë të përdoret edhe pas përfundimit të mandatit të saj si ministre.
Kosova Info i ka dërguar pyetje zyrtare kabinetit të Kryeministrit, duke kërkuar sqarime se kush e ka aktualisht në shfrytëzim këtë veturë, mbi çfarë baze ligjore mund të përdoret një aset i MAShTI-t nga një ish-zyrtare politike dhe nëse ekziston ndonjë vendim zyrtar që ia lejon znj. Nagavci përdorimin e saj pas largimit nga posti. Deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi, Zyra e Kryeministrit nuk ka kthyer përgjigje.
Heshtja e Qeverisë në këtë rast nuk është detaj administrativ; është sinjal shqetësues. Kur bëhet fjalë për pasuri të dhuruar nga një projekt ndërkombëtar, për nevoja institucionale dhe jo personale, çdo shmangie nga transparenca e rrit dyshimin se rasti nuk është thjesht keqmenaxhim, por mund të përbëjë devijim të qëllimit të donacionit dhe shfrytëzim të pasurisë publike jashtë bazës ligjore.
Sipas burimeve brenda MAShTI-t, ky rast po shihet si një nga shembujt më flagrantë i mënyrës se si ish-ministrja Nagavci e ka trajtuar ministrinë gjatë mandatit të saj: jo si institucion publik, por si hapësirë kontrolli politik dhe privilegji personal. Zyrtarë të ministrisë, në kushte anonimiteti, e përshkruajnë këtë rast si “përvetësim të hapur të pasurisë publike”, duke ngritur pyetjen se pse udhëheqja aktuale e MAShTI-t dhe Zyra e Kryeministrit nuk po e sqarojnë menjëherë fatin e këtij aseti.
Çështja është shumë e thjeshtë: ku është sot vetura Toyota e dhuruar nga LuxDev? Kush e përdor? A është kthyer në MAShTI pas përfundimit të mandatit të ish-ministres? A ekziston vendim zyrtar për shfrytëzimin e saj? Dhe, më e rëndësishmja, a është njoftuar donatori për mënyrën se si është përdorur një aset i dhuruar për nevoja institucionale?
Përgjegjësia në këtë rast nuk mund të kufizohet vetëm te ish-ministrja Nagavci. Një aset i dhuruar nga donatorët ndërkombëtarë nuk mund të largohet nga destinimi zyrtar, të përdoret nga një ish-zyrtare politike dhe të mos lërë gjurmë administrative brenda ministrisë. Prandaj, hetimi duhet të përfshijë edhe zinxhirin administrativ të MAShTI-t: zyrtarët për pasuri, logjistikë, flotë, kabinetin e mëhershëm dhe Sekretaren e Përgjithshme, si zyrtarja kryesore administrative e ministrisë. Duhet të sqarohet nëse ky rast është heshtur, toleruar apo mbuluar administrativisht, si dhe kush ka pasur përgjegjësi për regjistrimin, dorëzimin, autorizimin dhe kontrollin e përdorimit të kësaj veture.
Po aq e rëndësishme është edhe çështja e furnizimit me derivate. Organet kompetente duhet të verifikojnë nëse gjatë periudhës kur kjo veturë dyshohet se është përdorur jashtë destinimit zyrtar, ajo është furnizuar me karburant përmes kompanisë kontraktuese të MAShTI-t për derivate.
Nëse një veturë e përdorur jashtë bazës ligjore është furnizuar edhe me karburant nga buxheti i ministrisë, atëherë rasti merr përmasa edhe më të rënda, sepse nuk kemi të bëjmë vetëm me shfrytëzim të dyshimtë të një aseti publik, por edhe me shpenzim të mundshëm të parasë publike për përdorim privat apo politik.
Nëse këto dyshime konfirmohen, rasti nuk mund të trajtohet si incident i zakonshëm administrativ. Ai prek besimin e donatorëve ndërkombëtarë, integritetin e pasurisë publike dhe përgjegjësinë e zyrtarëve të lartë politikë. Një veturë e dhuruar për institucionin nuk mund të shndërrohet në privilegj personal të një ish-ministreje. Në një shtet normal, pasuria publike kthehet aty ku i takon; nuk bartet bashkë me karrierën politike.
Ky rast kërkon sqarim të menjëhershëm nga Qeveria, MAShTI dhe vetë znj. Nagavci. Heshtja nuk e mbyll çështjen.
Përkundrazi, e bën edhe më të rëndë. Sepse kur qeveria nuk përgjigjet për një aset publik të dhuruar nga donatorët, atëherë pyetja nuk është më vetëm “ku është vetura?”, por “çfarë tjetër është trajtuar si pronë private brenda institucioneve publike?”.
“Ky rast vjen në një kohë kur ndaj ish-ministres Nagavci janë ngritur edhe dyshime të tjera publike. Ditë më parë, media raportoi për deklarimet e ish-këshilltarit të saj, Valdrin Dervishaj, i cili kërkoi që Byroja për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë të hetojë blerjen e një shtëpie nga Nagavci në fund të mandatit qeveritar. Sipas raportimeve, ai ka ngritur pikëpyetje për çmimin e blerjes, kredinë dhe vlerën reale të pronës në treg. Këto pretendime, të cilat kërkojnë verifikim nga organet kompetente, e bëjnë edhe më të domosdoshëm sqarimin e çdo rasti tjetër që lidhet me pasurinë publike, donacionet dhe privilegjet institucionale.”/Kosova.info/
