Hadergjonaj nga Zvicra: Koha e LDK-së është tani, bashkë për një Kosovë më të fortë
Kandidati për deputet nga radhët e Lidhja Demokratike e Kosovës, Fadil Hadergjonaj Bjeshka, njëherësh ish-komandant i betejës së lavdishme të Koshares dhe të Loxhes, ka ftuar bashkatdhetarët në Zvicër për pjesëmarrje në një takim të madh me përfaqësuesit kryesorë të partisë.
Përmes një mesazhi drejtuar mërgatës, Hadergjonaj ka vlerësuar kontributin e diasporës në periudhat më të vështira dhe në procesin e shtetndërtimit të Kosovës, duke theksuar se roli i tyre mbetet vendimtar edhe sot.
“Mjaft është mjaft! Koha për ndryshim, për dinjitet institucional, zhvillim dhe siguri është tani. Koha e LDK-së është tani!”, ka deklaruar ai.
Në këtë takim pritet të marrin pjesë edhe kandidatja për presidente Vjosa Osmani dhe kandidati për kryeministër, njëherësh kryetar i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Ngjarja do të mbahet në “Royal Palace” në Winterthur të Zvicrës, ku pritet një pjesëmarrje e madhe e bashkatdhetarëve.
Hadergjonaj ka theksuar se qëllimi i këtij organizimi është mobilizimi i mërgatës për një Kosovë më të zhvilluar, më të sigurt dhe krenare në rrugën e saj euroatlantike.
