Certifikohen listat e votuesve, mbi 16 mijë votues të rinj regjistrohen ndërsa mbi 6 mijë largohen
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), më 22.05.2026, ka njoftuar se është certifikuar Lista e Votuesve e përbërë nga 2 milionë e 92 mijë e 174 votues për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës të cilat do të mbahen më 07.06.2026.
KQZ njofton se në këtë listë janë 15 mijë e 884 votues më shumë se në zgjedhjet e parakohshme që janë mbajtur më 28.12.2025.
“Sipas të dhënave nga Lista Votuese, numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime, në Republikën e Kosovës është 1,959,962 votues, ndërkaq numri i qytetarëve që janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës është 132,212 votues, prej të cilëve, 100,970 janë regjistruar për të dërguar fletëvotimin në kutinë postare jashtë Kosovës, 3,518 për të dërguar fletëvotimin në kutinë postare në Kosovë dhe 27,724 për të votuar fizikisht në përfaqësi diplomatike”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.
KQZ po ashtu bën të ditur edhe numrin e votuesve të rinj të cilit do të votojnë për herë të parë në këto zgjedhje, klasifikimin gjinor si dhe të regjistruarit për herë të parë në Regjistrin Qendror Civil.
“Numri i votuesve të rinj që do të votojnë për herë të parë në zgjedhjet e parakohshme më 7 qershor, është: 22,685 votues, prej të cilëve 16,934 votues konsiderohen të rinj që, pas zgjedhjeve për Kuvend (28.12.2025), kanë arritur moshën 18 vjeç dhe do të votojnë për herë të parë në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, që do të mbahen më 7 qershor. Prej tyre 8,752 (51.68 %) janë meshkuj, ndërsa 8,182 (48.31 %) janë femra, dhe 5,751 votues konsiderohen të regjistruar për herë të parë në Regjistrin Qendror Civil midis dy palë zgjedhjesh, ose votues që kanë rikthyer shtetësinë e Kosovës”, thuhet tutje në njoftim.
Ndërsa KQZ bën të ditur edhe për numrin e votuesve të cilët janë larguar nga listat zgjedhore pas zgjedhjeve të mbajtura më 28.12.2025.
“Numri i përgithshëm i votuesve që janë larguar nga LPV pas zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës (28.12.2025) është 6,801. Ky numër përfshinë 6,165 votues të larguar si persona të vdekur, të evidentuar nga Agjencia e Regjistrit Civil (ARC), 419 votues të larguar për shkak të humbjes së shtetësisë së Republikës së Kosovës, të evidentuar nga ARC dhe 217 votues të larguar nga lista votuese pas pranimit të dhënave nga KGjK”, thonë nga KQZ.
Po ashtu, ata bëjnë të ditur se procesi zgjedhor brenda vendit do të zhvillohet në 949 Qendra të Votimit, me gjithsej 2,550 vendvotime, prej të cilave 911 qendra me 2,498 vendvotime për votimin e rregullt dhe 38 qendra, nga një për çdo komunë, me 52 vendvotime për të mundësuar votimin me kusht.
Gjithashtu KQZ njofton për procesin zgjedhor jashtë vendit se përveç votimit me postë, ai do të organizohet në 30 përfaqësi diplomatike, prej të cilave 17 ambasada dhe 13 konsullata, me gjithsej 47 vendvotime. Votimi fizik në këto përfaqësi do të zhvillohet më 06.06.2026.
Gjithashtu sipas KQZ-së bëhet e ditur se kanë vënë në funksion kuti postare në 22 shtete të botës siç janë: Australi, Austri, Belgjikë, Çeki, Danimarkë, Francë, Gjermani, Holandë, Hungari, Itali, Kanada, Kroaci, Mali të Zi, Maqedoni e Veriut, Mbretëri e Bashkuar, Norvegji, SHBA, Shqipëri, Slloveni, Suedi, Turqi dhe Zvicër. Po ashtu, është funksionale edhe kutia e përhershme postare KQZ-së në Kosovë.
Afati për votim me postë do fillonte më 25.05.2026 por pas mbledhjes së KQZ-së të mbajtur më 19.05.2026 është vendosur që të filloj nga 21.05.2026 kjo për shkak se disa shërbime postave në disa vende europiane nuk do të punojnë nga 22-26.05.2026.
Në anën tjetër, për regjistrimin e votuesve nga jashtë Kosovës, pasi u pranuan 142 mijë e 803 kërkesa për regjistrim, u aprovuan 131 mijë e 800, kurse 10 mijë e 907 u refuzuan, 96 u anuluan.
