Ferizaj largohet nga fusha në fund të ndeshjes
Skuadra e Ferizajt është tërhoqur nga fusha e lojës në ndeshjen finale të Kupës së Kosovës kundër Dukagjinit pas vendimeve të fundit të gjyqtarit.
Gjithçka ka ndodhur në minutën e tretë të kohës shtesë, kur futbollistët e Ferizajt kanë kërkuar penallti për prekje të pretenduar me dorë në zonë nga mbrojtësi Albion Pllana.
Megjithatë, gjyqtari Genc Nuza nuk ka akorduar penallti, duke shkaktuar protesta të shumta nga futbollistët dhe stafi i Ferizajt.
Pas reagimeve të ashpra, kapiteni Betim Haxhimusa është ndëshkuar me karton të kuq, ndërsa trajneri Arsim Abazi ka vendosur ta tërheqë skuadrën nga fusha. Futbollistët e Ferizajt më pas janë drejtuar për në zhveshtore.
Kjo ka ndodhur derisa rezultati ishte në favor të Dukagjinit, e cila po udhëhiqte 2-1.
Derisa ndeshja ka qenë duke u zhvilluar normalisht, heroi i finales ka qenë Hekuran Berisha, i cili në minutën e shtatëdhjetë e katërt ka realizuar një supergol nga gjysma e fushës për t’ia siguruar trofeun skuadrës nga Klina.
Berisha ka përfituar nga dalja e avancuar e portierit Kai McKenzie-Lyle dhe me një goditje spektakolare e ka dërguar topin në rrjetë për epërsinë 2:1, gol që ka rezultuar vendimtar për triumfin e Dukagjinit.
Dukagjini ka arritur te goli i fitores edhe ka luajtur me një futbollist më pak. Në minutën e shtatëdhjetë, mesfushori Erlis Xhemajli është ndëshkuar me kartonin e dytë të verdhë pas ndërhyrjes ndaj Alban Shabanit dhe është përjashtuar nga loja.
Finalja ka nisur me lojë të kujdesshme nga të dy skuadrat, por Dukagjini ka kaluar i pari në epërsi në minutën e gjashtëmbëdhjetë. Altin Mërlaku ka realizuar nga distanca për 1:0.
Ferizaj ka reaguar shpejt dhe e ka barazuar në minutën e njëzet e tretë me anë të Kushtrim Shabanit, i cili ka shënuar pas një aksioni të organizuar mirë. Goli është konfirmuar edhe nga sistemi VAR, ndërsa vendimin final e ka marrë gjyqtari Genc Nuza.
Dukagjini kishte rrezikuar edhe më herët përmes Berishës, i cili në minutën e tridhjetë e ka goditur shtyllën pas një depërtimi të gjatë.
Në fund të pjesës së parë, Ferizaj ka kërkuar penallti për një ndërhyrje të pretenduar të portierit Egzon Lekaj ndaj Betim Haxhimusës, por pas rishikimit në VAR, gjyqtari Nuza ka vendosur të mos akordojë penallti.
