Shpeshtohen autobusët e linjës “3C” në Prishtinë – lehtësohet qarkullimi për punëtorët dhe nxënësit
Trafiku Urban, përkatësisht Drejtoria e Transportit në Prishtinë, ka marrë vendim për shpeshtimin e linjës së autobusëve “3C”, një nga linjat më të frekuentuara nga qytetarët, shkruan Kosova.info.
Ky ndryshim vjen pas kërkesave të vazhdueshme të udhëtarëve, të cilët prej kohësh kanë kërkuar përmirësim të orarit gjatë orëve të pikut në mëngjes.
Sipas rregullimit të ri, autobusët e linjës “3C” nga ora 07:00 deri në 07:30 do të nisen çdo 10 minuta, në vend të intervalit prej 15 minutash që ishte më parë. Ky hap synon të reduktojë mbingarkesën në autobusë dhe të ofrojë një shërbim më efikas për qytetarët që udhëtojnë drejt vendeve të punës.
Përfitues të drejtpërdrejtë nga ky ndryshim janë edhe nxënësit, të cilët përdorin këtë linjë për të arritur në shkollë, përfshirë ata që ndjekin mësimin në ShFMU “Ismail Qemali”. Me rritjen e frekuencës së autobusëve, prindërit nuk do të kenë më nevojë t’i dërgojnë fëmijët me veturë private, të paguajnë taksi apo të organizojnë transport alternativ.
Ky vendim pritet të ndikojë pozitivisht edhe në uljen e trafikut në rrugët e qytetit gjatë orëve të mëngjesit duke nxitur më shumë qytetarë që të përdorin transportin publik si alternativë më praktike dhe ekonomike.
Autoritetet kanë paralajmëruar se do të vazhdojnë të monitorojnë nevojat e qytetarëve për të bërë përmirësime të tjera në linjat urbane, me synim rritjen e cilësisë së shërbimit në transportin publik në Prishtinë.
