Historike: FC Stublla City ngjitet në Serie C2, krenari e shqiptarëve në Itali
17 maji 2026 do të mbetet një datë e artë për sportin shqiptar në diasporë. Klubi i futsalit FC Stublla City ka arritur suksesin më të madh në historinë e tij duke siguruar kualifikimin në Serie C2 të kampionatit italian.
Në palestrën “Donati” në Crema, skuadra shqiptare triumfoi në finalen e Play-Off-it ndaj Metalscatola duke vulosur një arritje historike për klubin e themeluar në vitin 2011 nga mërgimtarët shqiptarë.
Ky sukses ka një peshë të veçantë, pasi FC Stublla City është ndër klubet e rralla me bazë dhe menaxhim plotësisht shqiptar në Itali. Në përbërje të skuadrës janë lojtarë nga Stublla, Kosova, Shqipëria dhe Italia, të cilët u shndërruan në një ekip të vetëm në rrugëtimin drejt suksesit.

Fitorja është rezultat i një sezoni të mbushur me sakrifica. Pas angazhimeve të përditshme në mërgim, lojtarët gjenin kohë dhe energji për stërvitje intensive duke pasur si qëllim të vetëm ngritjen e emrit shqiptar në arenën sportive.
Atmosfera në Crema ishte elektrizuese, me qindra tifozë shqiptarë që udhëtuan nga zona të ndryshme të Italisë dhe Evropës për të mbështetur ekipin. Përkrahja ishte e madhe edhe nga Kosova dhe diaspora shqiptare në mbarë botën.

Kualifikimi në Serie C2 shënon fillimin e një kapitulli të ri për FC Stublla City duke dëshmuar se bashkimi, përkushtimi dhe identiteti janë çelësi i suksesit.
FC Stublla City sot bëri krenare Stubllën, Kosovën dhe gjithë shqiptarët kudo që janë. /Kosova.info/

