11 muaj burgim dhe 6 mijë euro gjobë për edukatoren në Ferizaj, iu ndalua profesioni për 5 vite

Gjykata Themelore në Ferizaj ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të pandehurës me inicialet M.A., e akuzuar për keqtrajtim të fëmijëve dhe lëndim të lehtë trupor në një kopsht të fëmijëve në Ferizaj, njofton Kosova.info.

Sipas vendimit të Departamentit për të Mitur, të kryesuar nga gjyqtari Shabi Idrizi, e pandehura është dënuar me 11 muaj burgim, 6 mijë euro gjobë dhe ndalim të ushtrimit të profesionit të edukatores për pesë vite.

Gjykata bëri të ditur se M.A. u shpall fajtore për veprat penale “keqtrajtim apo braktisja e fëmijës” dhe “lëndim i lehtë trupor”, pasi sipas aktakuzës, gjatë muajit nëntor 2025 kishte ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj dy fëmijëve dyvjeçarë në një kopsht të fëmijëve me inicialet “M.” në Ferizaj.

Sipas përshkrimit të rastit, e pandehura dyshohet se i kishte detyruar fëmijët të flinin me dhunë, i kishte shtyrë, tërhequr për flokë dhe përplasur në dysheme.

Në njërin rast, më 5 nëntor 2025, ajo akuzohet se e kishte kapur për flokë njërin nga fëmijët, duke i shkaktuar lëndime në kokë dhe dëmtim të lëkurës, gjë që ishte konstatuar edhe në ekspertizën mjeko-ligjore.

Gjykata njoftoi se në dënimin me burgim do të llogaritet edhe koha e kaluar në arrest shtëpiak, ndërsa palët kanë të drejtë ankese brenda 30 ditësh në Gjykata e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Ferizaj.

Go to TOP