LDK denoncon “sulme digjitale” ndaj kandidatit për kryeministër, paralajmëron adresim në Polici
Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar publikisht lidhur me atë që e quan vazhdim i sulmeve të koordinuara digjitale ndaj profileve zyrtare të kandidatit të saj për kryeministër.
Në reagimin për media, LDK thotë se përmes profileve të rreme, ndërhyrjeve të automatizuara dhe aktivitetit të sinkronizuar manipulativ, po tentohet të krijohet artificialisht perceptimi publik dhe të ndërtohet një infrastrukturë propagandistike për diskreditim politik.
Sipas kësaj partie, bëhet fjalë për një formë të organizuar të ndërhyrjes hibride në komunikimin publik dhe procesin demokratik në vend.
LDK ka bërë të ditur se çështjen do ta adresojë sërish nesër në Policinë e Kosovës dhe institucionet përkatëse duke kërkuar trajtim serioz, profesional dhe urgjent.
“Kosova nuk guxon të lejojë që debati demokratik të zëvendësohet me manipulim digjital, propagandë anonime dhe sulme të organizuara ndaj komunikimit politik të lirë”, thuhet në reagim.
Tutje, LDK thekson se pavarësisht këtyre sulmeve, komunikimi me qytetarët nuk do të ndalet. /Kosova.info/
