​Fejza: Isha dëshmitare okulare, pa asnjë lloj komunikimi paraprak Lushtaku e sulmoi zëvendësministrin Mehani

Ish-deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arjeta Fejza, foli për sulmin ndaj zëvendësministrit të Financave, Hysni Mehani.

Ajo tha se ka qenë dëshmitare okulare e ngjarjes.  Sipas saj, Mehani është sulmuar fizikisht nga kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku.

Fejza, nga ambientet e spitalit ku po trajtohet Mehani, tha se ngjarja ka ndodhur, derisa ata po qëndronin në një kafeteri në qendër të Skenderajt.

“Po, sot rreth mesditës unë bashkë me zëvendësministrin Mehani ishim duke pirë një kafe në një nga kafeteritë në qendër të Skënderajt edhe ishim duke diskutuar, domethënë fare të shpërqendruar në muhabetin tonë pa asnjë vëmendje rreth asaj se çka po ndodhte përreth edhe pa asnjë lloj komunikimi paraprak me zotëri Lushtakun. Ai u afrua dhe e sulmoi zëvendësministrin Mehani. Fillimisht me telefon, pastaj me dorë, pastaj edhe me gotë, siç keni pasur mundësinë me pa edhe dëmin, të cilin e ka në fytyrën e tij. Kur sekretari i qendrës sonë, Bardh Zabeli tentoi tw ndërhyjë për ta qetësuar situatën, me i nda pak, mos tw vazhdojw ajo përplasja fizike, ai u sulmua edhe nga disa persona të tjerë përreth, të cilët unë nuk i di se kush janë, as nuk i njoh, por ishin bashkë me zotëri Lushtakun në atë moment”, tha Fejza.

Ajo e cilësoi rastin si sulm ndaj demokracisë dhe kërkoi reagim nga organet kompetente.“Ky është një sulm për demokracinë në fakt. Ky është një akt i papranueshëm, është një kërcënim ndaj demokracisë edhe uroj që organet përgjegjëse dhe ju bëj thirrje edhe nga këtu, nga spitali në të cilin po trajtohet aktualisht zëvendësministri, që sa më shpejt të marrin në përgjegjësi për këtë sulm. Për gjendjen shëndetësore të zëvendësministrit sigurisht mund të flasë më shumë stafi. Kjo është domethënë ajo se çka ka ndodh sot në Skënderaj”, tha ajo.

Sipas Fejzës, nuk ka pasur asnjë provokim para incidentit.

“Absolutisht asnjë. Në fakt, në momentin kur është sulmuar, unë kam qenë vetë duke biseduar me zotëri Mehani, kemi qenë jashtë, ka pasur pak më shumë zhurmë, ka pasur njerëz, ditë e mirë, njerëzit kanë qenë në lokal, kemi qenë më afër madje duke komunikuar për shkak të zhurmës. Domethën,ë tema s’ka pas fare të bëjë as me Skënderajn, ne kemi qenë duke diskutuar një çështje krejt tjetër. Gjithçka ka ndodhur pa asnjë provokim dhe pa asnjë reagim prej anës sonë”, u shpreh ajo.Fejza tha se ka pasur edhe të tjerë dëshmitarë okularë aty.

“Informata të tjera nuk kam, unë vetëm desha të ndaj këtë qëndrim në raport me ju. Unë po ju siguroj, unë kam qenë aty edhe besoj ka edhe të tjerë dëshmitarë okularë aty. Ne kemi qenë duke biseduar për një çështje, prapë po them, që s’ka lidhje fare as me Skënderajn, as me çështjen për të cilën po flasim. As fare nuk është përmend emri i tij. Ne kemi qenë duke folur për një çështje të punës në momentin kur ai është afruar dhe ka filluar ta sulmojw zëvendësministrin”, tha Fejza.

Go to TOP