Dushi: Besnikëri 30-vjeçare ndaj LDK-së dhe frymës rugoviste

Kryetari i degës së dytë të LDK-së, Florian Dushi, ka deklaruar se për afro tri dekada ka qenë i angazhuar në mënyrë të pandërprerë në këtë subjekt politik duke qëndruar gjithmonë pranë anëtarësisë dhe votuesve të partisë.

Dushi thekson se besimin e qytetarëve e konsideron përgjegjësinë më të madhe politike dhe njerëzore, ndërsa nënvizon se ka mbetur “palëkundur dhe besnik” ndaj rrugës së Presidentit Ibrahim Rugova dhe frymës së bashkëthemeluesve të LDK-së.

Ai shton se ky qëndrim, sipas tij, mund të ketë penguar disa interesa të caktuara, por se vlerat rugoviste mbeten themel i identitetit të tij politik.

Dushi rithekson se, pavarësisht rrethanave dhe sfidave, do të vazhdojë të jetë mbështetje e fuqishme për LDK-në duke e cilësuar dashurinë për partinë si të pakushtëzuar për të gjithë ata që, sipas tij, duan Kosovën, lirinë dhe demokracinë. /Kosova.info/

Go to TOP