LDK: Po zhvillohet luftë hibride ndaj opozitës përmes manipulimit digjital
Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar ashpër ndaj, siç e quan ajo, një sulmi të organizuar kibernetik dhe fushate të koordinuar manipulimi digjital kundër komunikimit publik të kryetarit të saj dhe thirrjes për “Tubimin e Bashkimit”.
Në reagimin për media, LDK pretendon se brenda pak minutash mijëra profile të dyshimta dhe llogari të automatizuara kanë ndërhyrë në mënyrë të sinkronizuar në rrjetet sociale, me qëllim deformimin e perceptimit publik dhe uljen artificiale të besueshmërisë së komunikimit politik.
Sipas kësaj partie, këto ndërhyrje synojnë krijimin e një atmosfere të rreme refuzimi dhe polarizimi në opinionin publik duke paralajmëruar se manipulimi digjital dhe propaganda e organizuar pritet të jenë pjesë e strategjive kryesore të fushatës së ardhshme zgjedhore.
LDK vlerëson se “debati demokratik po zëvendësohet me operacione psikologjike dhe propagandistike në hapësirën digjitale” duke dënuar çdo formë të ndërhyrjeve hibride ndaj organizimit politik opozitar.
Në fund, partia u bëri thirrje qytetarëve të Kosovës që të jenë të vetëdijshëm ndaj, siç thuhet në reagim, manipulimeve përmes profileve false, rrjeteve anonime dhe mekanizmave propagandistikë duke kërkuar zgjedhje të lira, debat të ndershëm dhe standard demokratik në vend. /Kosova.info/
