Hykmete Bajrami: Qeveria të subvencionojë qumështin vendor, jo “ligjërata me PPT”
Deputetja e Lidhja Demokratike e Kosovës, Hykmete Bajrami, ka kërkuar mbështetje direkte për sektorin e bujqësisë, duke theksuar se prodhuesit vendorë të qumështit po përballen me vështirësi serioze dhe kanë nevojë për ndërhyrje konkrete nga Qeveria, shkruan Kosova.info.
Ajo ka deklaruar se “nuk ka ligjëratë me ppt. që e ndihmon sektorin e bujqësisë”, duke kërkuar subvencionim të gjithë zinxhirit të prodhimit të qumështit – nga fermerët, përpunuesit e deri te tregtarët.
Sipas Bajramit, Qeveria duhet të mbulojë diferencën në çmim në mënyrë që qumështi vendor të bëhet konkurrues me produktet e importuara.
“Dallimi në çmim duhet të jetë deri në 20 cent për litër; atëherë konsumatori e zgjedh qumështin vendor. Këto masa duhet të vazhdojnë deri në konsolidimin e sektorit”, ka deklaruar ajo.
Bajrami ka shtuar se politika të ngjashme mbështetëse duhet të aplikohen edhe për produkte të tjera vendore, ndërsa ka bërë thirrje që në zgjedhjet e 7 qershorit qytetarët të votojnë për programe që garantojnë stabilitet politik dhe zhvillim ekonomik. /Kosova.info/
