Organizata Shqiptaria: Komuna e Prishtinës po legalizon diskriminimin fetar

Organizata Shqiptaria ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Komuna e Prishtinës dhe Drejtorisë së Shërbimeve Publike për ndalimin e aktivitetit të Bashkësisë së Popullit të Zotit duke e cilësuar atë si diskriminues dhe me standarde të dyfishta ndaj komuniteteve fetare.

Në reagimin publik, organizata thotë se arsyetimi se “aktivitetet me përmbajtje fetare duhet të mbahen vetëm brenda objekteve fetare” përbën, sipas tyre, “akt të pastër diskriminimi, hipokrizie institucionale dhe trajtim selektiv”.

Ata kanë ngritur disa pyetje publike ndaj Komunës së Prishtinës duke përmendur ndryshimin e orarit mësimor gjatë Ramazanit, dekorimet me simbole fetare në kryeqytet dhe organizimin e faljeve në hapësira publike, për të cilat pretendojnë se nuk zbatohet i njëjti standard.

Sipas Organizatës Shqiptaria, institucionet publike nuk duhet të favorizojnë asnjë komunitet fetar dhe Kushtetuta e Kosovës garanton barazi për të gjitha bashkësitë fetare.

Në fund, organizata ka kërkuar tërheqjen urgjente të vendimit dhe përgjegjësi institucionale ndaj zyrtarëve që, sipas tyre, po përdorin administratën publike për trajtim selektiv të komuniteteve fetare. /Kosova.info/


Go to TOP