​Superliga në futboll ndez garën për titull dhe mbijetesë

Superliga e Kosovës në futboll vazhdon këtë fundjavë me xhiron e 33-të, ku priten përballje tejet interesante dhe me peshë të madhe për renditjen përfundimtare të sezonit.

Vëmendja kryesore është e përqendruar te derbi ndërmjet Dritës dhe Ballkanit, i cili zhvillohet sot me fillim nga ora 16:00 në stadiumin me bari sintetik në Gjilan. Ky takim konsiderohet vendimtar në garën për titull, pasi vendasit kryesojnë tabelën me tetë pikë epërsi ndaj rivalit të drejtpërdrejtë.

Një fitore e mundshme e Dritës do ta afronte ndjeshëm skuadrën gjilanase drejt shpalljes kampion, ndërsa një humbje për Ballkanin do të zbehte dukshëm shpresat e tyre për mbrojtjen e titullit. Në përballjen e fundit mes këtyre dy ekipeve këtë sezon, Ballkani kishte fituar bindshëm me rezultat 3-0 në Suharekë.

Në anën tjetër, po në të njëjtin orar zhvillohet edhe një duel shumë i rëndësishëm për mbijetesë, ku Drenica pret Gjilanin.

Drenica synon me çdo kusht tri pikët për të vazhduar betejën e ashpër për t’i shpëtuar zonës së rrezikut dhe për të shmangur barazhin. Në anën tjetër, Gjilani është në kërkim të rikthimit te fitorja, të cilën nuk e ka shijuar në pesë ndeshjet e fundit, duke e bërë këtë përballje edhe më të tensionuar.

Me këto sfida, xhiroja e 33-të pritet të sjellë zhvillime të rëndësishme si në luftën për titull ashtu edhe në betejën për mbijetesë në elitën e futbollit kosovar.


Go to TOP